Lajmet e fundit
Takime të kongresistëve amerikanë me kryetarët e komisioneve, shefat e grupeve parlamentare dhe grupet parlamentare
, 04.04.2012
Kongresistët amerikanë gjatë kësaj vizite mbajtën disa takime të veçanta me kryetarët e komisioneve, dhe shefat e grupeve parlamentare, me Komisionin për Buxhet dhe Financa , me grupet parlamentare SLS dhe 6+, Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Grupin e Grave Deputete dhe me zyrtarët e komisioneve parlamentare.
Në takimin e David Dreier dhe Jim Mcfrmott me kryetarët e komisioneve dhe shefat e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës u zhvillua një bashkëbisedim shumë i gjerë, i cili u përqendrua në temat e punës së komisioneve, çështjen e dëgjimeve publike, zgjedhjet, si dhe keqpërdorimet e ndryshme e korrupsionin.
Përkitazi me organizimin dëgjimeve publike u dhanë mendime të ndryshme drejt begatimit të tyre, duke u ndalur në mënyrën e udhëheqjes së shqyrtimeve në këto raste. Ndërkaq, kur është fjala për punën e komisioneve dhe angazhimet e deputetëve vëmendja e kongresistëve amerikanë u përqendrua në fuqizimin e stafit mbështetës të komisioneve , duke dhënë shembuj shumë të mirë të praktikës parlamentare amerikane. Ekspertët që angazhohen për të ndihmuar komisionet u tha se duhet të kenë njohuri të thella, nga fushat përkatëse, madje duhet të jenë edhe në numër më të madh se sa deri tash. Një kërkesë e tillë, si thanë kongresistët, është sugjeruar edhe nga NDI-ja për ta aplikuar më fuqishëm në praktikën parlamentare në Kosovë.
Debat i gjerë i shoqëruar edhe me pyetje e kundërpërgjigje u zhvillua sidomos kur ishte fjala për zgjedhjet në Kosovë, sidomos këto të fundit, duke u bërë përpjekje të gjenden shkaqet e parregullsive në zgjedhjet në Kosovë. Lidhur me këtë u tha se në Kosovë pikërisht nga fakti i evidentimit të parregullsive të ndryshme edhe u formua Komisioni ad hok për reformën zgjedhore, që ka për qëllim të krijojë bazë ligjore që do të parandalojë parregullsitë.
Kongresistëve amerikanë patën edhe një takim të veçantë me kryetarët e komisioneve dhe shefat e grupeve parlamentare lidhur me procedurën e bërjes së ligjeve që nga nisma e deri në shqyrtimin kryesor të tyre në seancë plenare, si dhe rolin e komisioneve në këtë proces. Po ashtu, ata u njoftuan me numrin e komisioneve dhe fushëveprimtarinë e tyre, duke përmendur katër komisionet e përhershme: Komisionin për Buxhet, Komisionin për Integrime Evropiane, Komisionin për Komunitete dhe Komisionin për Legjislacion. Ata, nga të pranishmit, po ashtu u njoftuan edhe me sfidat që e përcjellin punën e komisioneve, duke vënë në pah mungesën e hapësirave dhe ekspertëve të fushave përkatëse.
Kongresistët amerikanë inkurajuan nikoqirët duke sjellë në kujtesë faktin se Kosova është ende shtet i ri, në fillet e ndërtimit të demokracisë.
Delegacioni i Kongresit Amerikan, është pritur edhe nga anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, fillimisht bëri një përshkrim të punës dhe detyrave të komisionit, ndërsa u fokusua në përgjegjësitë e tij në shqyrtimin dhe amendamentimin e projektligjeve, veçanërisht gjatë procesit buxhetor. Ajo identifikoi edhe sfidat me të cilat komisioni përballet gjatë punës së përditshme të tij.
Kongresmenët amerikanë, nga ana e tyre, u interesuan për një varg çështjesh që lidhen me fushëveprimtarinë e punës së komisionit dhe shtruan një pyetjesh në adresë të anëtarëve të komisionit, të cilat konsistonin në kontrollit buxhetor dhe në rritjen e kapaciteteve të stafit mbështetës.
Në takimin me kongresistët amerikanë, kryetarja e GGD-së, znj. Teuta Sahatqija, i njoftoi ata për angazhimin e deputeteve të Kuvendit të Kosovës për të ndërtimin e institucioneve demokratike, si dhe përkushtimin e GGD-së për të fuqizuar rolin e gruas në këto institucione. GGD-ja , tha ajo, përfshin gratë nga të gjitha partitë dhe komunitetet. Kongresistët përgëzuan GGD-ën për rezultatet e arritura.