Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 11.04.2012




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare e komisionit, ka shqyrtuar sot raportet vjetore financiare të dy agjensioneve të pavarura, si dhe katër projektligje.

Raporti financiar i Institutit Gjyqësor të Kosovës, për vitin 2011, u prezantua nga përfaqësuesja e këtij instituti, Lumnie Krasniqi, e cila dha një pasqyrë të punës dhe aktiviteteve të tij. Pas pyetjeve të shtruara nga ana e anëtarëve të komisionit dhe sqarimeve të nevojshme, raporti u përkrah dhe u procedua për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.

Naile Krasniqi, ndërkaq, prezantoi raportin financiar të Komisionit të Pavarur për Media, për vitin 2011, i cili u shoqërua me diskutime nga ana e anëtarëve të komisionit. Pas disa vërejtjeve lidhur me tejkalimin e disa shpenzimeve, komisioni përkrahu raportin.

Në mbledhjen e sotme u rishqyrtuan amendamentet për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe procedurat, pas disa vërejtjeve nga Komisioni për Legjislacion. Komisioni bëri harmonizimet e nevojshme dhe votoi propozim-amendamentet, së bashku me projektligjin në tërësi, duke e proceduar për shqyrtim të mëtutjeshëm në Kuvend.

U përkrahën edhe tri projektligje të tjera, me raportet me amendamente të komisioneve funksionale: Projektligji për mbeturinat, Projektligji për teatrot dhe ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemën e ndihmës sociale në Kosovë.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa