Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi...

, 17.04.2012




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Zenun Pajaziti, në mbledhjen e sotme shqyrtoi Raportin vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) për vitin 2011.

Gjatë shqyrtimit të këtij raporti, në mbledhje të Komisionit ishte i pranishëm edhe drejtori i AAC-së, Dritan Gjonbalaj. Ai fillimisht i njoftoi anëtarët e Komisionit për misionin dhe vizionin e AAC-së. Me këtë rast, Gjonbalaj theksoi se AAC-ja i ka vënë vetes mision që të mbajë sa më lart nivelin e standardeve të sigurisë në Kosovë në fushën e aviacionit civil, duke pasur vizion që të ofrojë sistemin më të mirë të mundshëm të aviacionit civil. Duke folur për të arriturat e ACC-së, Gjonabalaj vuri në dukje kompletimin e infrastrukturës ligjore dhe harmonizimin e saj me atë të BE-së. Në vijim, ai njoftoi edhe për një vizitë vlerësuese nga ekspertë të BE-së që i kishin bërë ACC-së, me ç'rast nga ana e tyre është vlerësuar pozitivisht përpjekja e ACC-së për përmbushjen e misionit dhe vizionit të saj. Në vijim, drejtori i ACC-së foli edhe për sfidat me të cilat ballafaqohen ata, ku mes tjerash përmendi pamundësinë e marrëveshjeve kontraktuale me shtetet e BE-së. Lidhur me këtë, Gjonbalaj tha se ACC-ja shpreson se në një të ardhme të shkurtër edhe ata të kenë këtë mundësi.

Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, pas diskutimeve që bënë dhe përgjigjeve që morën lidhur me interesimin e tyre, raportin e vlerësuan pozitivisht dhe e miratuan atë. Ata, po ashtu inkurajuan drejtorin Gjonbalaj dhe stafin e tij që të vazhdojnë me këmbëngulësi për të tejkaluar sfidat që paraqiten, duke i ofruar mbështetje edhe nga komisioni.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi...