Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 17.04.2012




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare e komisionit, ka shqyrtuar sot raportet me amendamente të dy projektligjeve si dhe raportet vjetore financiare të disa institucioneve e agjensioneve.

Raporti financiar i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për vitin 2011, u prezantua nga Drejtori i Përgjithshëm, Sylejman Shaqiri, i cili bëri një përshkrim të gjendjes financiare të këtij institucioni për vitin e kaluar. Ai pasqyroi një varg vështirësish financiare me të cilat televizioni publik është përballur gjatë vitit 2011, si pasojë e mungesës së infrastrukturës përkatëse ligjore. Shaqiri, gjithashtu, shpalosi të dhëna nga raporti financiar i RTK-së. Anëtarët e komisionit, ndërkaq, ngritën një varg shqetësimesh lidhur me shpenzimet në disa kategori, si: rritjet në sektorin e pagave, diferencat në planifikime dhe shpenzimeve sa i përket mallrave dhe shërbimeve etj.

Pas diskutimeve, komisioni përkrahu raportin financiar të RTK-së dhe, me vërejtjet e deputetëve, e procedoi për shqyrtim dhe miratim në seancë plenare.

Sa i përket kërkesës së Radiotelevizionit publik për mbulimin e shpenzimeve të Auditimit të performancës së tij, komisioni i rekomandoi Kryesisë së Kuvendit që kjo e fundit të kërkojë nga Auditori i Përgjithshëm të bëjë këtë auditim.

Në vazhdim të mbledhjes, Bedri Mecini nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), prezantoi raportin financiar të kësaj agjencie për vitin 2012. Duke dhënë një vërejtje të përgjithshme për mënyrën e hartimit të raporteve nga ana e agjensioneve të pavarura, kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, kërkoi që krahas të dhënave për vitin përkatës, në raporte të prezantohen edhe shifrat për vitin paraprak, në mënyrë që të jepet një pasqyrë më gjithëpërfshirëse dhe krahasuese rreth shpenzimeve të këtyre agjensioneve.

Sidoqoftë, komisioni e përkrahu raportin dhe e procedoi tutje në Kuvend.

Raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2012, e prezantoi sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i cili shpalosi të dhëna lidhur me shpenzimet gjatë vitit të kaluar. Edhe në këtë mbledhje, Qendra Protokolare në Gërmi u cilësia si çështje që kërkon zgjidhje.

Pas diskutimeve, raporti u përkrah unanimisht nga anëtarët e komisionit.

Kërkesa e Institucionit të Avokatit të Popullit për caktimin e pagave për zëvendësit e Avokatit të Popullit, ishte pikë tjetër shqyrtimi, për të cilën dha sqarime njëri nga zv/avokatët e Popullit, Basri Berisha. Anëtarët e komisionit kërkuan sqarime për mosekzekutimin e pagave të zv/avokatëve, në pajtim me Ligjin e Buxhetit dhe u dakorduan që t'i rekomandohet Kryesisë që të kërkojë nga qeveria ekzekutimin e tyre.

Në këtë mbledhje u përkrah Projekt-Kodi Penal i Republikës së Kosovës dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, me raportet me amendamente të komisioneve funksionale.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa