Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës

, 24.04.2012




Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Arsim Bajrami, kryetar, ka miratuar planin e veprimit dhe agjendën e punës, në mandatin e tretë të tij, i cili ka të bëjë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Kryetari Bajrami tha se komisioni ka një rol kyç në përgatitjen e ndryshimeve kushtetuese dhe legjislative, në mënyrë që t'i jepet fund mbikëqyrjes së pavarësisë. Ai tha se në kuadër të planit të veprimit parashihen një varg ndryshimesh kushtetuese, një pako prej 22 amendamenteve kushtetuese, nëpërmjet të cilave bëhet kalimi i përgjegjësive nga institucionet ndërkombëtare te institucionet vendore. Kreu i komisionit tha se kanë arritur edhe plotësim-ndryshimet e 21 ligjeve organike.

"Jemi marrë vesh që deri më 10 shtator Kuvendi të miratojë të gjitha ndryshimet kushtetuese dhe ligjet. Ky është një proces i koordinuar mirë me ICO-në, Grupin Ndërkombëtar Drejtues, qeverinë dhe subjektet politike", theksoi Bajrami.

Edhe anëtarët e tjerë të komisionit dhanë mendimet dhe sugjerimet e tyre lidhur me planin e veprimit, në mënyrë që puna e komisionit të jetë sa më racionale dhe frytdhënëse.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës