Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 25.04.2012




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Safete Hadergjonaj, shqyrtoi tri raporte financiare, ndërkaq, ministri i Ministrisë së Finanacve, Bedri Hamza, njoftoi për ecurinë e zbatimit të Ligjit për parandalimin e shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.

Duke folur rreth Ligjit për parandalimin e shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit, ministri Hamza tha:" Ky Ligj bazohet në konceptet e reja dhe zbatohet në vendet e rajonit sipas ligjeve evropiane. Ligji merr parasysh kërkesat tona dhe nivelin e zhvillimit ekonomik të Kosovës". Bazuar në këtë Ligj, vijoi ai, Ministria ka themeluar Njësinë e inteligjencës financiare, e cila më parë ka qenë kompetencë e UNMIK-ut dhe më pas këto kompetenca kanë qenë të transferuara në EULEX. Në vijim, ministri Hamza po ashtu njoftoi se pas nënshkrimit të memorandumit për transferimin e kompetencave nga ndërkombëtarët tek vendorët, kanë pasuar procedurat e kompletimit të stafit me ekspertë vendor. Sipas parashikimeve dhe pritjeve të Ministrisë, është paraparë që në fund të muajit prill të fillojnë punën të përzgjedhurit në bazë të konkursit, tha Hamza. Pas pranimit të stafit të ri, vijoi ai, është paraparë trajnim i specializuar i tyre në këtë fushë, ndërkaq, ceremonia e pranim-dorëzimit të kompetencave është paraparë të bëhet më një qershor të këtij viti.

Pas njoftimit që bëri ministri Hamza, anëtarët e Komisionit theksuan se është akoma herët të vlerësohet zbatimi i Ligjit për parandalimin e shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit, ndërsa i rekomandoi grupit punues që në një të ardhme të afërt të vizitojë të përzgjedhurit që do të jenë pjesë e Njësisë së inteligjencës financiare.

Pas kësaj, Komisioni shqyrtoi Raportin financiar të Agjencisë kosovare të pronës për vitin 2011 dhe Raportin financiar të Zyrës Rregullative të energjisë po ashtu për vitin 2012. Lidhur me këto raporte, Komisioni vlerësoi se ato nuk përmbajnë të dhëna të detajuara, andaj kërkuan nga përfaqësuesi i Zyrës së Rregullatorit të energjisë dhe ai i Agjencisë kosovare të pronës, që gjatë javës të kompletojnë raportet me të dhëna më të detajuar lidhur me shpenzimet dhe ato t'i dërgohen Komisionit.

Ndërkaq, Raportin financiar të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2011, Komisioni e vlerësoi pozitivisht dhe e miratoi.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa