Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së
, 25.04.2012
Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, u shqyrtua vendimi i Presidentes, lidhur me kthimin e Ligjit për pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për rishqyrtim.
Sipas vendimit të Presidentes, në rast të mungesës së fondeve publike, qeveria mund të bëjë shkurtime sa i përket përfitimeve nga ligji, për të mos rrezikuar sigurinë financiare të Kosovës, andaj është kërkuar t'i shtohet këtij ligji një paragraf i ri.
Në këtë mbledhje morën pjesë edhe Agim Çeku, Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, komandant i FSK-së, si dhe kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj.
Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, duke paraqitur propozimet e këtij komisioni tha se Komisioni për Buxhet dhe Financa ka pasur takim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, të cilët patën insistuar që pjesë të projektligjit të jenë edhe dy çështje, Mes tjerash ajo tha se neni 27-të është pjesë e marrëveshjes me FMN-në, duke theksuar faktin se një gjë e tillë është në tërë skemën sociale.
Duke përmendur propozimin e komisionit, kërkoi që nenit 27-të, t'i shtohet një paragraf i ri, që në rast të ndonjë vështirësie financiare të ketë mundësi të bëhen reduktime, njësoj sikurse në Ligjin e skemës sociale dhe se kjo çështje është pjesë e marrëveshjes me FMN-në.
Ministri Çeku gjatë diskutimit të tij tha se duhet që të mbështetet paragrafi i ri dhe propozimi i Presidentes. Duke kërkuar që kjo çështje të përfundojë me procedurë më të shpejtë, përmendi faktin se është krijuar një pasiguri tek pjesëtarët e FSK-së.
"57 pjesëtarë të FSK-së i kanë plotësuar kushtet që të dalin në pension dhe pritet që gjatë vitit të rritet në 73, andaj ky ligj është shumë i rëndësishëm.", tha ministri Çeku duke shtuar se nuk është vetëm FSK-ja që mund të goditet nga ky ligj, por tërë shoqëria. Mirëpo, shtoi ai në asnjë mënyre nuk duan që të jenë më të privilegjuar nga kategoritë tjera.
Ai theksoi se marrëveshja me FMN-në është shumë me rëndësi për stabilitetin financiar, duke shtuar se duhet respektuar në përpikëri këtë nënshkrim me FMN-në.
Anëtarët e komisionit gjatë diskutimit të tyre, kritikuan vendimin e Presidentes për kthimin e ligjit, duke theksuar se kjo nuk është praktikë e mirë dhe se Presidentja nuk duhet të bie pre e presioneve të cilat janë marrëveshje mes qeverisë dhe FMN-së. Ndërsa, u theksua se kjo çështje paraqet implikim minimal në Buxhetin e Kosovës.
Pas diskutimit të deputetëve , në mungesë të një konsensusi mes tyre, anëtarët e komisionit u dakorduan që kjo çështje të procedohet në seancë plenare.
Më tej, kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, njoftoi anëtarët e komisionit edhe për pjesëmarrjen e tij në punimet e konferencës "Mbrojtje e Zgjuar", bashkëpunimi dhe koordinimi rajonal mes vendeve të Evropës Juglindore, grumbullimi dhe ndarja e aseteve, organizuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Asamblenë Parlamentare të NATO-s.