Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
, 25.04.2012
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, në fillim u shqyrtuan raportet e komisioneve të përhershme lidhur me Projektligjin për Teatrot. Pas shqyrtimit Komisioni përkrahu procedimin e këtij Projektligji për shqyrtim të dytë në Kuvend.
Në vijim anëtarët e Komisionit shqyrtuan Raportin vjetor të punës për vitin 2011 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ndërsa merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e këtij Këshilli. Gjatë debatit të gjerë lidhur me funksionet kryesore të Këshillit, siç janë: shqyrtimi i ankesave të nëpunësve civilë dhe kandidatëve për punësim në shërbimin civil të Republikës së Kosovës, vëzhgimi i zgjedhjes së nëpunësve civilë të nivelit drejtues të institucioneve, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil, u tha se ky Këshill po reflekton progres të rëndësishëm në punën e vet dhe ngritje të efektshëmrisë . Këtë e dëshmon fakti se Këshilli në vitin 2011 ka pranuar 407 ankesa, ndërsa janë shqyrtuar dhe vendosur 383 ankesa, ndërsa 24 sosh kanë mbetur të shqyrtohen në vitin vijues.
Përkundër këtyre ecurive trimëruese, si përfaqësuesit e Këshillit, ashtu edhe anëtarët e Komisionit, nuk ishin të kënaqur me ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë, të cilat institucionet përkatëse janë të obliguara sipas ligjit t'i zbatojnë . Në këtë situatë Këshilli nuk ka çfarë të ndërmarrë tjetër pos që të njoftojë krerët më të lartë të vendit, për këtë mos konsekuencë ndaj zbatimit të vendimeve. Në kuadër të debatit pati propozime që dy nene të Ligjit nr.o3/ L-192 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës të ndryshohen, për të qartësuar edhe më çështjen e ekzekutimit të vendimeve të Këshillit.
Komisioni përkrahu Raportin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovë dhe njëherësh e procedoi atë më tej në Kuvend.