Lajmet e fundit

Nënkryetari i Kuvendit , Sabri Hamiti, priti z. Samuel Zhbogar

, 02.05.2012




Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, kishte sot një takim me përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, z. Samuel Zhbogar.

Në takim u bisedua për zhvillimet aktuale në Kosovë.

Z. Zhbogar u interesua për punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës aktualisht dhe në muajt vijues, e në mënyrë të veçantë për punën legjislative rreth procesit të përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.

Z. Sabri Hamiti me këtë rast theksoi se është i domosdoshëm liberalizimi i vizave , në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në Evropë, duke dalë nga izolimi i tanishëm.

Bashkëbiseduesit theksuan se bisedat me Serbinë nuk do të japin rezultat derisa të mos zbatohen marrëveshjet e arritura dhe derisa Serbia të mos shpërbëjë strukturat e veta në Kosovë.

Nënkryetari i Kuvendit Sabri Hamiti ritheksoi se nuk ka bazë ligjore që lejon të mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë dhe këtë e ka thënë Kuvendi i Republikës së Kosovës në Rezolutën e 15 marsit 2012, duke e obliguar Qeverinë e Kosovës që të zbatojë këtë vendim.

 

Nënkryetari  i Kuvendit , Sabri Hamiti, priti z. Samuel Zhbogar