Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
, 02.05.2012
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit Ali Sadriu, u shqyrtua propozimi i ZAP-it, për të shtyrë shtypjen e Raportit Vjetor të Performancës dhe publikimin e tij në faqen zyrtare, derisa auditorët e jashtëm të kenë dhënë opinionin dhe rekomandimet e tyre.
Me këtë rast, përfaqësues të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm theksuan se edhe këtë vit ZAP-i ka bërë dorëzimin e raportit të perfomancës, për vitin 2011, me afatin kohor të përcaktuar me ligj.
U tha se raporti është finalizuar dhe për shtypjen e raportit është caktuar kompania private, ndërsa u sqarua se duhet të shtypet dhe të publikohet pasi të merret opinioni i auditorit të jashtëm.
Përfaqësues të ZAP-it theksuan se ky raport nuk e ka fuqinë e njëjtë nëse nuk e ka opinionin e auditorit të jashtëm. Më tej u tha se ky raport mund të shërbejë edhe si model për institucionet tjera të pavarura, të cilat mund të dorëzojnë raportin e përfomancës së bashku me pasqyrat e audituara.
Pas një diskutimi të gjerë anëtarët e komisionit u dakorduan që në mbledhjen e ardhshme të shqyrtohet raporti Vjetor i Performancës së Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2011 dhe pas shqyrtimit të nxirren rekomandime për mbledhjen e Kuvendit.
Më tej, anëtarët e komisionit u njoftuan edhe lidhur me rivlerësimin e ofertave për përzgjedhjen e auditorit të jashtëm për auditimin e pasqyrave financiare të ZAP-it, për vitin 2011. Pasi u miratua njoftimi i komisionit për anulim të këtij procesi, u theksua se procedurat ligjore duhet të respektohen në tërësi dhe se në mesin e këtij muaji do të fillojnë procedurat.
Anëtarët e komisionit po ashtu diskutuan edhe për vizitat që ata do të zhvillojnë nëpër institucione të pavarura. U dakorduan që fillimisht të vizitojnë Komisionin për Miniera dhe Minerale.