Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
, 02.05.2012
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare e komisionit, ka shqyrtuar sot raportet me amendamente të dy projektligjeve si dhe raportet vjetore financiare të disa agjensioneve.
Komisioni përkrahu Projektligjin për Diasporën e Kosovës dhe atë për Agjencinë e Kosovës për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguria bërthamore, me raportet me amendamente të komisioneve funksionale, pasi konstatoi se ato nuk kanë implikime shtesë financiare.
Raporti financiar i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për vitin 2011, u prezantua nga zv/drejtoresha e kësaj agjencie, Mrika Tahiri, e cila bëri një përshkrim të gjendjes financiare të këtij institucioni për vitin e kaluar.
Pas diskutimeve, komisioni përkrahu raportin financiar të AKP-së dhe e procedoi për shqyrtim dhe miratim në seancë plenare.
Në vazhdim të mbledhjes, Driton Gjonbalaj nga Autoriteti i Aviacionit Civil, prezantoi raportin financiar për vitin 2011 të këtij autoriteti. Edhe ky raport mori përkrahjen e komisionit.
Pasi shqyrtoi raportet me të dhëna shtesë nga Agjencia Kosovare e Pronës dhe Zyra Rregullative të Energjisë, të kërkuara në mbledhjen e kaluara, komisioni përkrahu raportet në tërësi dhe i procedoi për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.