Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
, 03.05.2012
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, një pjesë të së cilës e kryesoi nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, filloi me pikat e rëndomta të rendit të ditës, përkatësisht kohës për deklarime jashtë rendit të ditës.
Mbledhja pastaj vazhdoi me pyetjet e deputetëve, në të cilat u përgjigjën ministrat: Vlora Çitaku, Ramë Buja, Sllobodan Petroviq, Bajram Rexhepi, Ferid Agani.
Në vijim në rendin e ditës së seancës ishte debat parlamentar lidhur me çështjen e personave të zhdukur. Në emër të Komisionit për të drejtat e njeriut, barazi gjinore dhe për persona të pagjetur, para deputetëve foli Suzan Novobërdaliu, e cila theksoi se derisa të mos gjendet personi i fundit i zhdukur gjatë luftës në Kosovë, kërkimi për ta dhe ankthi i familjes dhe i gjithë qytetarëve të Kosovës do të vazhdojë. Përkundër orvatjeve të deritashme të faktorëve vendor dhe ndërkombëtarë për zbardhjen e fatit të zhdukurve, nuk është realizuar ajo që është pritur.
Zhdukja e njerëzve është një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, prandaj gjetja e personave të zhdukur, zbulimi i kryesve dhe shqiptimi i dënimeve ndaj tyre është prioritet i shtetit dhe bashkësisë ndërkombëtare, me të cilat do të realizoheshin dispozitat e të drejtës ndërkombëtare dhe asaj humanitare. Edhe pse kanë kaluar 13 vjet prej krimeve masive nga forcat serbe në Kosovë, edhe pse janë të evidentuar me emër e mbiemër, rrethanat e vrasjeve dhe të zhdukjeve të 13 mijë e 300 personave në Kosovë, gjyqësori në Kosovë deri më tash ka proceduar dhe me aktgjykim të formës së prerë, janë përmbyllur vetëm dhjetë raste. Autoritetet e Serbisë, jo vetëm që nuk kanë treguar interesim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, por të njëjtit, këtë gjendje e shfrytëzojnë për interesa dhe përfitime politike.
Gjendja e familjarëve, të cilët tash 13 vite jetojnë në ankth është më e rëndë se e çdo qytetari tjetër të prekur nga lufta. Këta familjarë, të cilët presin 13 vjet për një informatë për të zhdukurit, që është e drejtë elementare njerëzore, është padrejtësia më e madhe që ju bëhet. Ka dyshime se një numër i madh i pengjeve janë djegur edhe nëpër furrnalta, çka jep të kuptosh se enigma e fatit të disa të pagjeturve nuk do të zbardhet kurrë.
Kosova, nëpërmjet faktorit ndërkombëtar duhet të bëjë trysni ndaj Serbisë, si fajtore për shkakun dhe pasojat e kësaj gjendje. Ajo është fajtore për luftën, për krimet e bëra në Kosovë dhe fshehjen e krimeve - personave ende të pagjetur dhe për këtë duhet të përgjigjet sipas të drejtës ndërkombëtare.
Nuk ka krim më të madh sot në botë se sa mos deklarimi se ku janë varrosur personat e rrëmbyer gjatë luftës. Kjo gjendje është vazhdim i ankthit për familjaret e personave të zhdukur dhe për gjithë shoqërinë kosovare. Historia na tregon, se nuk ka raste të tilla në botë, që pas përfundimit të luftës, të mos shkëmbehen pengjet dhe informacionet e nevojshme për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Të pagjeturit janë plagë e hapur për gjithë Kosovën.
Me 27 prill, në ditën ndërkombëtare të personave të zhdukur, u vu gurë themeli memorialit i cili u kushtohet personave të zhdukur, një iniciativë me vend, por krahas memorialit, duhet të ngritet edhe një muze i veçantë për të zhdukurit, për të treguar për krimin, por edhe për secilin person të zhdukur, për një histori të hidhur dhe të papërfunduar.
Kryetarja e Komisionit për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, ia paraqet Kuvendit të Kosoves për miratim edhe disa rekomandime.
Blerta Deliu (LDK) theksoi se problemi i të zhdukurve është një nga problemet më të mëdha të pasluftës. Ai është krimi më i rëndë kundër njerëzimit. Familjarët presin me vite vetëm për një informatë. Pasi përmendi disa nga fshatrat e qytetet, të cilat pësuan më së rëndi, ajo tha se infrastruktura ligjore për problematikën e të zhdukurve ekziston, por ajo duhet të zbatohet, duke bërë njëkohësisht thirrje ndaj institucioneve ndërkombëtare për të bërë presion ndaj Serbisë për ndriçimin e fatit të të zhdukurve. Në këtë vështrim ajo përmendi edhe nevojën e angazhimit të EULEX-it për fatin e të zhdukurve.
Rita Hajzeraj (LDK) tha se ligji ekziston , por nuk ka vullnet të duhur për të vepruar në zbatimin e tij. Tashmë qëndrojnë 350 mbetje mortore , por për shkak të mungesës së ekspertëve ende nuk është bërë identifikimi i tyre. Ajo shtroi nevojën e trajnimit të ekspertëve, në mënyrë që sa më parë të bëhet identifikimi i mbetjeve mortore të gjetura. Në këtë aspekt ajo kërkoi edhe një trysni më të madhe ndaj Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për të bërë më shumë në gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve.
Albin Kurti (VV) u shpreh se lufta nuk ka përfunduar për familjarët e të zhdukurve. Ata kërkojnë të zbardhet fati i të zhdukurve, ndërsa në të njëjtën kohë për ta nuk ofrohet as përkujdesje institucionale. Serbia, theksoi ai, mbetet fajtore për fshehjen e viktimave. Në Serbi nuk ka hetime penale për kryesit e krimeve , gjykatat në Serbi kanë ngritur vetëm disa akuza për krime. Serbia duhet të hapë dosjet e krimeve, ajo ka dosje të tilla, të veprohet ashtu si u veprua edhe në rastin e Vukovarit, tha Kurti.
Kymete Bajraktari (AAK) tha se problemi i të zhdukurve është çështje humanitare, por sikur ka mbetur i bllokuar. Ajo shtroi nevojën e hetimit të kryesve të krimeve , duke theksuar se kriminelët sillen lirshëm.
Myzejene Selmani (AKR) theksoi se është momenti i fundit që në bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si prioritet të shtrohet çështja e të zhdukurve. Është e nevojshme, tha ajo, që në këtë aspekt të ndërmerret një fushatë e gjerë për sensibilizim të çështjes së të pagjeturve, duke bërë përpjekje që edhe faktori ndërkombëtar të bëjë më shumë presion ndaj Serbisë.
Sasha Milosavljeviq (SLS) foli për rekomandimet e Komisionit, duke theksuar se në to duhet të përfshihet edhe periudha e pasluftës e shtrirë në tërë rajonin. Ai tha se çështja e të zhdukurve nuk mund të shtrohet në atë mënyrë që të akuzohet vetëm njëra palë, duke kërkuar që në këtë çështje të ketë vlerësim real.
Albert Kinolli (6+) tha se shumica e familjarëve që ballafaqohen me problemin e të zhdukurve tashmë kanë humbur shpresat se do të gjejnë të afërmit e tyre, duke shtruar pyetjen se sa kanë bërë institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare për të zbardhur fatin e të zhdukurve .
Në debat morën pjesë një numër i madh deputetësh. Shprehej brengë dhe njëkohësisht kërkohej që të ndriçohet fati i 1781 të pagjeturve dhe 385 të të paidentifikuarve. Kërkohej që ky problem të mos jetë temë e agjendave politike. Çështja e të pagjeturve nuk guxon të injorohet , nuk guxon askush të jetë indiferent ndaj këtij problemi. Nuk është koha të drejtohet gishti nga njëri tjetri, por të trajtohet problemi si dhembje e këtij nën qielli. Propozohej që ky problem të shtrohet edhe në kuadër të bisedimeve të Kosovës me Serbinë.
Në mbështetje të debatit Komisioni për të drejtat e njeriut, barazi gjinore dhe për persona të pagjetur do të bëjë një tekst të rekomandimeve, të cilat do të miratohen në mbledhjen vijuese të Kuvendit.
Në vijim Kuvendi miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat personale, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Doganor dhe të akcizave në Kosovë.
Ndërkaq, sipas propozimit të ministrit të Infrastrukturës,Fehmi Mujota, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për themelimin e Agjencisë për Shërbimet e Navigacionit Ajror, u tërhoq , ndërsa do të radhitet në seancë të radhës.
Në vazhdim u shqyrtua Vendimi i Presidencës së Kosovës për kthimin në shqyrtim të Ligjit nr. 04/L-084, për pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Pas debatit Kuvendi nuk përkrahu propozimin e presidentes.