Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
, 08.05.2012
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit Ali Sadriu, u shqyrtua Raporti Vjetor i Performancës së Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2011.
Auditori Gjeneral, Lars Lage Olofsson gjatë prezantimit të raportit duke theksuar fillimisht se auditimi është duke u zgjeruar gjithnjë e më shumë, përmendi faktin se krahasuar me vitin e kaluar, ka pasur zvogëlim në shpenzime. Po ashtu, ai tha se ZAP-i tashmë ka një skemë për zhvillimin e stafit të tyre sipas standardeve ndërkombëtare dhe kjo sipas Olofsson është mjaft efektive.
Më tej ai foli edhe për organizimin e zyrës të cilën e përfaqëson ai, duke sqaruar se në këtë institucion punojnë 132 persona, ndërsa shtoi se buxheti është dyfishuar në krahasim me vitet e kaluara.
Anëtarët e komisionit, gjatë diskutimit të tyre theksuan se raporti vjetor i Performancës së Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2011, është i përgatitur mirë, mirëpo u tha se nuk ka ndonjë ndryshim nga vitet e kaluara. U kërkuan sqarime nga Olofsson për faktin se gjatë vitit 2011 kanë qenë të planifikuara pesë raporte të përfomancës, ndërsa janë përfunduar tri sosh, ndërsa është publikuar vetëm një raport i tillë.
Me këtë rast Olofsson duke folur në detaje për zhvillimin e auditimeve të kryera, tha se numri i përgjithshëm i auditimeve në vitin 2011 është 105, duke theksuar se ka një progres të dukshëm. "Numri i auditimeve të përformancës është i limituar. Kurse, numri i raporteve të pakualifikuara po rritet edhe kjo është një gjë shumë e mirë", tha ai, duke shtuar se mospublikimi i raporteve ka qenë për arsye të kualitetit jo të duhur. "Nuk dorëzoj raporte që nga ana kualitative nuk janë të një niveli të mirë", tha ai.
Më tej anëtarët e komisionit njëzërit kërkuan nga Olofsson që të ketë më shumë auditime të përformancës, si dhe të auditohen tenderët. Po ashtu, u shfaq shqetësimi se derisa në shumë institucione po shfaqen parregullsi, raportet e auditimit janë me vlerësime pozitive. Me këtë rast u përmend Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe Ministria e Infrastrukturës.
Olofsson, tha se është në plan që të bëhet auditimi i performancës sa i përket mirëmbajtjes së rrugëve, por të gjitha kontratat e tri viteve të Ministrisë së Infrastrukturës janë nën hetim nga prokuroria. Më tej ai shtoi se pasqyrat vjetore financiare në të gjitha aspektet janë të vërteta dhe të sakta. Duke marrë si shembull MPB-në Olofsson tha se një prej çështjeve të mëdha ka qenë mungesa e menaxhimit të mirë të kontrollit të brendshëm dhe komunikimit mes ministrisë dhe policisë. Të gjitha parregullsitë në atë ministri kanë pasur të bëjnë me forcën policore, tha i kreu i ZAP-it duke shtuar se nuk ka asnjë ndikim politik në atë se çfarë është theksuar për këto raporte.
Me tej u kërkuan sqarime të shumta nga Olofsson edhe për procesin e rekrutimit të stafit të lartë për pozitat kushtetuese, duke u theksuar se janë duke u bërë shkelje gjatë rekrutimit, ndërsa shfaqën shqetësimet e tyre nëse është duke u avancuar stafi teknik në pozita më të larta të ZAP-it.
Duke theksuar se vërehet që ZAP-i ka shënuar progres u tha po ashtu se duhet të ketë auditime të pavarura dhe ky institucion të vazhdojë të funksionojë i papolitizuar.
Krejtësisht në fund u tha se pas prezantimit të pasqyrave financiare, do të merren rekomandimet për Kuvend nga ana e komisionit lidhur me vlerën e raportit të performancës.