Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

, 10.05.2012




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, një pjesë të së cilës e kryesoi nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, filloi me pikat e rëndomta të rendit të ditës, përkatësisht kohës për deklarime jashtë rendit të ditës.

Në pyetjet e deputetëve, u përgjigjën ministrat: Ramë Buja e Fehmi Mujota dhe ministrja Vlora Çitaku.

Serbia nuk ka vullnet politik për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Mbledhja pastaj vazhdoi me interpelancën me zëvendëskryeministren, Edita Tahiri lidhur me fatin e të zhdukurve në raport me bisedimet me Serbinë, në Bruksel, sipas kërkesës së Grupit të deputetëve nënshkrues. Në emër të deputetëve nënshkrues, për arsyeshmërinë e interpelancës foli Kymete Bajraktari. Ajo tha se edhe pas 13 viteve, fati i të pagjeturve mbetet enigmë për familjet që janë në kërkim të familjarëve të tyre. Ndërkaq, në vijim ajo ngriti një varg kritikash ndaj Qeverisë dhe zv. kryeministres Tahiri, duke vlerësuar se Serbia nuk ka vullnet politik për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Bajraktari po ashtu kërkoi që temë diskutimi e rëndësisë së veçantë në mes të delegacionit të Kosovës dhe Serbisë të jetë fati i të pagjeturve. Ajo me këtë rast paraqiti kërkesën prej katër pikave, për të cilat kërkoi që të trajtohen nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Pastaj fjalën e mori zv. kryeministrja Tahiri, e cila falënderoi grupin e deputetëve nënshkrues të kërkesës për këtë interpelancë, për të diskutuar së bashku për çështjen e personave të pagjetur, si dhe për t' u njohur me rrjedhat rreth kësaj çështjeje në bisedimet teknike të Brukselit.

Të pagjeturit përbëjnë një nga problemet dhe dhembjet më të mëdha të popullit shqiptar dhe institucioneve të Kosovës

Çështje e personave të pagjetur është një prej plagëve më të rënda të luftës agresore të Serbisë ndaj Kosovës, e cila edhe pas 13 vjetësh të mbarimit të luftës ende nuk është zgjidhur përfundimisht. Në bazë të burimeve zyrtare janë ende 1.780 persona, fati i të cilëve ende nuk dihet nga gjithsej 6,012 persona të zhdukur në mënyrë të dhunshme nga ana e forcave okupatore të Serbisë. Padyshim që çështja e personave të pagjetur përbën një nga problemet dhe dhembjet më të mëdha të popullit shqiptar, të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe gjithë institucioneve tjera dhe në veçanti të familjeve që jetojnë në ankthin e pritjes për të kuptuar për fatin e më të dashurve të tyre, theksoi në fillim Edita Tahiri.

Ndërkaq, në vijim ajo tha:"Duke qenë të shqetësuar për çështjen e të pagjeturve dhe mungesën e një zgjidhje të plotë në këtë çështje, ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, kemi qenë dhe mbetemi tërësisht të angazhuar për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi. Krahas angazhimit të mekanizmave qeveritarë dhe atyre ndërkombëtar, të cilët janë duke punuar në vazhdimësi në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës ka arritur që çështjen e të pagjeturve ta ngritë në nivelin e Bashkimit Evropian duke e vendosur në agjendën e dialogut teknik edhe përkundër refuzimeve të palës serbe.

Çështja e të pagjeturve është diskutuar në raundin e katërt të bisedimeve në Bruksel, të mbajtur më 18 maj 2011, dhe me këtë rast delegacioni i Republikës së Kosovës ka paraqitur platformën e Qeverisë sonë për zgjidhjen e këtij problemi. Kërkesat tona kryesore kanë qenë: që Bashkimi Evropian të marrë rol udhëheqës dhe garantues për zgjidhjen e plotë të çështjes së personave të pagjetur, duke fuqizuar procesin ekzistues përmes instrumenteve obligative që detyrojnë Serbinë për të bashkëpunuar dhe jo sabotuar zgjidhjen e këtij problemi,duke kërkuar që të hapen arkivat e gjenocidit, përkatësisht arkivat e ish-Ushtrisë Jugosllave dhe të mekanizmave tjerë të përfshira në operacionet luftarake në Kosovë, sepse jemi të bindur se aty është adresa ku Serbia vazhdon t' i fshehë krimet:kemi kërkuar që sa më shpejtë të ofrohen informacionet e sakta për vendndodhjen e personave të zhdukur ; vendvarrimet tjera "të jashtëligjshme" apo "klandestine", me mbetje mortore të viktimave të luftës, si dhe informatat mbi fshehjen e gjurmëve, duke përdorur furrnaltat për djegien e trupave, etj. Të përshpejtohet procedimi i mëtutjeshëm i rasteve të parashtruara me kërkesë zyrtare , siç janë:rasti i Rashkës,rasti i Medvegjës, rasti i Rezallës,rasti i Peruçacit,rasti i Zhilivodës,rasti i Suharekës - afër Fabrikës "Ballkan" dhe rasti i Koshares etj.,

përfshirë edhe rastet për të cilat është kërkuar informacion shtesë, si: rasti i Pastaselit,rasti i Izbicës; etj", theksoi Edita Tahiri.

Në vazhdim ajo thekoi se është shprehur gatishmëria e institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës për çështjen e personave të zhdukur, për të shqyrtuar dhe proceduar me kohë çdo informacion që parashtrohet nga institucionet e Republikës së Serbisë. Po ashtu është konfirmuar gatishmëria për vazhdimin e bashkëpunimit mes komisioneve qeveritare të të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë, me mbështetjen e EULEX-it dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, duke kërkuar që operacionet teknike në terren të realizohen nga ekipet profesionale, si dhe me prezencën e palëve dhe të bashkësisë ndërkombëtare .

Është insistuar, që çështja e të pagjeturve të trajtohet sipas konventave ndërkombëtare si çështje humanitare dhe të ndërpriten tendencat e politizimit të kësaj çështjeje nga ana e Serbisë. Në mënyrë të veçantë është kërkuar zbardhja e fatit të profesor Ukshin Hotit, atdhetarit dhe intelektualit të shquar shqiptar.

Bisedimet për këtë çështje, u shpreh Edita Tahiri, kanë lënë të kuptohet se pala serbe vazhdon me qasje politizuese, përkundër faktit se zgjidhja e çështjes së të pagjeturve është obligim ndërkombëtar që garantohet me konventa ndërkombëtare të OKB-së,Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë, Konventën e Gjenevës - 1949, dhe protokollet shtesë të këtyre konventave.

Qëndrimi i palës serbe nuk ka dalluar nga politikat e kohës së Millosheviqit, me fjalë tjera, nuk është treguar gatishmëri ballafaqimi me përgjegjësinë që e kanë si shtet që ka bërë katër luftëra agresore në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe që ka bërë një gjenocid të paparë në Kosovë.

Një qëndrim i tillë i papërgjegjshëm i palës Serbe nuk ishte diçka e panjohur, sepse në saje të qëndrimeve të tilla antihumane çështja e të pagjeturve po zvarritet qe aq shumë vite.

Duke folur për çështjen e sensibilizimit të çështjes së të zhdukurve, Edita Tahiri në vijim theksoi:"Për këtë arsye ne si Qeveri e Kosovës kemi kërkuar që Bashkimi Evropian të angazhohet drejtpërdrejti dhe të bëhet garantues i këtij procesi dhe zgjidhjes finale. Po ashtu dua t`ju informoj se BE-së ia kemi dorëzuar gjithë dokumentet relevante që kanë të bëjnë me këtë çështje, përfshirë këtu Platformën e Qeverisë së Kosovës për zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve, dokumentet analitike dhe faktografike. Konsideroj të rëndësishëm që t' ju informoj se përgatitjet e Qeverisë së Kosovës përkatësisht të Delegacionit të Kosovës për bisedime kanë qenë të nivelit të lartë, si për nga ekspertiza, kompetenca, strategji dhe integritet. Platforma qeveritare për çështjen e të pagjeturve është përgatitur nga Ministria e Drejtësisë. Në kuadër të përgatitjeve, unë si udhëheqëse e Delegacionit, me qëllim të njohjes sa më të mirë të kësaj çështjeje kam zhvilluar takime pune me ministrin e Drejtësisë, Grupin Qeveritar për persona të pagjetur, Departamentin e Mjekësisë ligjore, EULEX-in, Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe shoqatat e familjarëve të personave të zhdukur, të cilët i falënderoj për bashkëpunim të plotë dhe punën e madhe që kanë bërë. Pas bisedimeve në Bruksel kam raportuar në Komisionin Parlamentar për Persona të Pagjetur, si dhe para shoqatave të familjarëve të personave të zhdukur.
Pavarësisht se çështja e të pagjeturve është trajtuar vetëm në njërin nga raundet e bisedimeve teknike, vlerësojmë se janë arritur disa rezultate konkrete.

Si Qeveri e Republikës së Kosovës, kemi pasur për qëllim që duke futur në agjendën e dialogut teknik këtë çështje, të bëjmë që kjo të ngritet në nivel të trajtimit të Bashkimit Evropian, si dhe Bashkimi Evropian të pranojë të marrë rol udhëheqës dhe garantues për zgjidhjen e plotë të këtij problemi, përkatësisht për zbardhjen e plotë të fatit të pagjeturve dhe këtë e kemi arritur plotësisht, sepse sot kjo çështje është bërë pjesë e agjendës së BE-së", theksoi Edita Tahiri.

Është arritur, tha ajo, që të informohet e sensibilizohet BE-ja për të gjitha sfidat nëpër të cilat po kalon ky proces, duke kërkuar që të rritet trysnia mbi Serbinë për të qenë bashkëpunuese në zgjidhjen e kësaj çështjeje.

BE-ja është zotuar se do të angazhohet në mënyrë të veçantë për këtë çështje dhe se Raporti i Progresit i BE-së do të trajtojë në mënyrë më të hollësishme këtë problem prej ku do të dalin edhe obligime për të dyja shtetet, Kosovën edhe Serbinë.

Ekziston bindja se rritja e angazhimeve të BE-së në zgjidhjen e këtij problemi përbën një fuqizim të ri për procesin dhe mekanizmat ekzistues vendor dhe ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve.

E vetëdijshme për kompleksitetin dhe ndjeshmërinë e kësaj çështjeje, Qeveria e Republikës së Kosovës, konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit , do të vazhdojë angazhimin maksimal në ngritjen e kapaciteteve vendore që merren me personat e pagjetur, si dhe për fuqizimin e procesit, në mënyrë që sa më shpejtë të zbardhet fati i gjithë personave të pagjetur, theksoi Edita Tahiri.

Kërkohen veprime konsekuente për zbardhjen e të fatit të të zhdukurve

Pas kësaj, u deklaruan shefat e grupeve parlamentare. Në emër të Grupit Parlamentarë të PDK-së foli Shaip Muja. Ai pasi që shprehu shqetësimin për fatin e të pagjeturve, foli për ndërlikimet që përmban ky proces. Bisedimet e deritashme Muja i vlerësoi të paefektshme dhe kërkoi që karakteri i tyre të ndryshojë, ai po ashtu kërkoi që të implementohet Ligji për të pagjeturit. Në vijim, Muja adresoi një vistër çështjesh dhe obligimesh, të cilat kërkoi që Qeveria të ketë prasysh për përmbushjen e tyre.

Në emër të LDK-së, foli Rita Hajzeraj- Beqaj, e cila me këtë rast shfaqi një varg kritikash në emër të Qeverisë. Ajo me këtë rast përkujtoi se Kuvendi i Kosovës kohë më parë ka miratuar një Rezolutë e cila obligon Qeverinë e Kosovës që në vijimësi të raportojë në Kuvend lidhur me bisedimit me Serbinë, gjë që sipas saj këtë nuk është duke e bërë. Ajo po ashtu kërkoi nga Qeveria që çështjen e të zhdukurve ta trajtojë më me seriozitet dhe të respektojë rezolutat e miratuara nga Kuvendi.

Edhe Kymete Bajraktari, në emër të AAK-së, pati vërejtje në punën e deritashme të Qeverisë lidhur me zbardhjen e fatit të të pagjeturve, ndërsa marrëveshjet e deritashme që janë arritur në bisedimit me Serbinë, i quajti të parëndësishme karshi fatit të të pagjeturve.

Në emër të VetëVendosjes foli Albin Kurti, i cili shfaqi mendimin se për të pagjeturit duhet drejtësi, e jo negociata. Ai po ashtu tha se është iluzion të mendohet se Serbia humanizohet me negociata, dhe kërkoi ndërprerjen e bisedimeve me të.

Myzejene Selmani në emër të AKR-së, ndërkaq, shfaqi mendimin se fati i të pagjeturve mund të zgjidhet duke e sensibilizuar atë në nivele ndërkombëtare. Sipas saj, kjo çështje kërkon veprime e jo vetëm fjalë. Deputetja nga radhët e SLS-së, Jasmina Zhivkoviq, ishte e mendimit se për këtë problematikë flitet një anshëm, që sipas saj nënkupton vetëm të pagjeturit e popullatës shumicë në Kosovë dhe duke fajësuar vetëm Serbinë. Në vijim të mbledhjes, lidhur me këtë folën edhe deputetët Vjosa Osmani, Teuta Haxhiu, Emin Gërbeshi, Sali Asllanaj, Time Kadrijaj, Donika Kadaj -Bujupi e të tjerë.

Duke shprehur opinionin e vetë rreth kësaj çështje, deputeti Lutfi Haziri, tha se Qeveria e Kosovës është e kushtëzuar në këtë çështje. Haziri po ashtu ishte i mendimit se Serbia ka arritur të barazojë fatin e të pagjeturve në kohën e para lufte me të zhdukurit e pas luftës. Duke folur rreth kësaj çështjeje, deputeti Hydajet Hyseni ngriti dyshimin nëse këtë problematikë duhet kërkuar ta zgjidhim në bisedime me Serbinë, apo në gjykatat ndërkombëtare pasi kemi të bëjmë me krime lufte. Çështja e të pagjeturve për deputetin Sabri Hamiti është çështje e të gjithëve. Hamiti tha se këtë çështje duhet trajtuar si çështje kundër njerëzimit. Ai po ashtu tha se zbardhja e fatit të të pagjeturve është thellësisht politike. Në vijim foli deputeti Glauk Konjufca, i cili zv. ministres Tahiri i bëri një mori pyetjesh (16 sosh), ndërkaq, Visar Ymeri lexoi një letër të motrës së Ukshin Hotit, e cila kërkonte angazhim më të madh nga Qeveria për zbardhjen e fatit të të vëllait.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e Raportit financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2011. Këtë Raport, para deputetëve e paraqiti ministri i Ministrisë së Financave Bedri Hamza. Lidhur me këtë Hamza tha se në fund të vitit të kaluar kemi pasur bilanc pozitiv të buxhetit, ndërkaq, rritjen ekonomike prej 5% e vlerësoi si më të lartën në rajon. Ky Raport, ndonëse u kundërshtua nga disa grupe parlamentare në fund me shumicë votash u miratua nga deputetët.

Në vijim, deputetët shqyrtuan dhe miratuan Raportin e punës të Institutit Gjyqësor të Kosovës, për vitin 2011 dhe Raportin e punës të Komisionit të Pavarur të Medieve për vitin 2011. Në këtë mbledhje, deputetët miratuan edhe dy projektligje në lexim të dytë: Projektligjin për marrëdhëniet e detyrimeve dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemën e ndihmës sociale në Kosovë. Ndërkaq, Projektligji për teatrot dhe Raporti i punës së RTK-së për vitin 2011, që ishin paraparë të shqyrtohen në mbledhjen e sotme, janë shtyrë për shqyrtim në mbledhje të radhës. Në mbledhje të radhës së Kuvendit do të shqyrtohet edhe propozimi i Qeverisë për anëtarë të rinj të Bordit të ZRRE-së.

Kuvendi vazhdon nesër punën me pikat vijuese nga ora 10:00.

Mbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e Kuvendit