Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...
, 14.05.2012
Në dëgjimin publik të organizuar sot nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione të Kuvendit të Republikës së Kosovës, u diskutua për zbatimin e Ligjit kundër diskriminimit.
Takimin e kryesoi Suzan Novobërdaliu. Identifikimin e ngecjeve në zbatimin e Ligjit duhet ta bëjmë së bashku, tha ajo duke shtuar se nga ky debat pret të dalin rekomandime të dobishme për formulimin e rekomandimeve të Raportit përfundimtar lidhur me zbatimin e Ligjit kundër diskriminimit.
Të pranishmit e këtij dëgjimi, Merita Syla nga Institucioni i Avokatit të Popullit, përfaqësuesit komunal të Mitrovicës, Ferizajt e Prishtinës dhe Natyra Avdiu nga Iniciativa qytetare e të rinjve, folën për Ligjin dhe sfidat e implementimit të tij.
Diskutuesit duke shfaqur opinionet e tyre thanë se Ligjin kundër diskriminimit e përcjellin mangësi të shumta, andaj implementimi i tij në praktikë hasë në vështirësi duke e bërë të pamundshëm zbatimin e tij. Sipas tyre, perceptimi se në Kosovë diskriminimi ndodhë vetëm në baza etnike dhe gjinore, është i papranueshëm. Po ashtu, paqartësia e procedurave për të paraqitur rastet e diskriminimit dhe paqartësia rreth sanksionimit të veprës për shkelësit e Ligjit, mbeten sfidë për implementim të këtij Ligji. Pjesëmarrësit e këtij debati, në diskutimet e tyre shprehën indinjatën për mosprezencën e përfaqësuesve të Zyrës për Qeverisje të Mirë, për ç'gjë thanë se kjo tregon edhe mosinteresimin e tyre për implementim të Ligjit.
Duke folur për implementimin e këtij Ligji në komunën e Mitrovicës, Fitim Rama, tha se në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës ky Ligj zbatohet në masën deri në 70%, ndërkaq, në pjesën veriore të këtij qyteti ai nuk gjen zbatim po thuajse fare.
Ndonëse Ligji kundër diskriminimit është në fuqi që nga viti 2004, sipas pjesëmarrësve të këtij debati, ai duhet ndryshuar dhe amenadmentuar, duke u përshtatur me rrethanat e reja të krijuara në Kosovë.
Në fund të debatit, kryetarja e Komisionit Novobërdaliu tha se vërejtjet dhe rekomandimet e këtij debati do të inkorporohen në Raportin final për implementimin e këtij Ligji.