Lajmet e fundit

Konferenca për Projektin e përparimit të drejtësisë gjinore

, 16.05.2012




Organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës dhe UNDP-ja sot u mbajt një konferencë lidhur me Projektin për përparimin e drejtësisë gjinore. Në këtë konferencë të moderuar nga Cristopher Decker morën pjesë edhe kryetarja e GGD-ës, znj. Teuta Sahatqija dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe për Persona të pagjetur, znj.Suzan Novobërdali. Në fjalën e vet znj. Sahatqija tha: "Sundimi i ligjit së bashku me sigurinë, qasjen në drejtësi dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut paraqesin fundamentin e funksionimit demokratik të një shteti . Këto duhet të jenë prioritete jetike dhe duhet të promovohen dhe të ruhen me kujdes nga institucionet tona. Për funksionim të mirëfilltë të drejtësisë ekzistojnë ligjet, policia, gjykatat dhe mekanizmat tjerë të nevojshëm, të cilët do të duhet të sigurojnë mbrojtjen dhe qasjen e barabarte të të gjithëve në drejtësi, pa marrë parasysh gjininë. Pra, institucionet që janë të pajisura me dije, me kapacitete, me mekanizma të duhur, duhet të jenë të afta të parandalojnë me kohe situata që dëmtojnë individët e bashkë me ta edhe shoqërinë, ato duhet të promovojnë llogaridhënien , të realizojnë respektimin e drejtave te njeriut dhe të barazisë gjinore", theksoi znj. Sahatqija.

Në Parlamentin e Kosovës ekziston Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe për Persona të Pagjetur, i cili nën një udhëheqje të mençur po kryen punë shumë të vlefshme në këtë drejtim. Gjithashtu, Grupi i Grave Deputete është grup shumë aktiv i të gjitha deputeteve të të gjitha partive dhe nacionaliteteve, i cili punon në sensibilizimin e ndjeshmërisë gjinore, në fuqizimin e pozitës së gruas përmes inicimit apo amandamentimit të ligjeve të ndryshme, rregulloreve, por edhe aktiviteteve tjera, si: tryeza, debate, seanca parlamentare, takime, vizita e shumë aktivitete tjera, theksoi ajo.

Znj. Suzan Novobërdali theksoi përkushtimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe për Persona të Pagjetur për të përkrahur ligje që trajtojnë të drejtat e njeriut e në veçanti shikimin e perspektivës gjinore të ligjeve.

 

 

Konferenca për Projektin e përparimit të drejtësisë gjinore