Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi...
, 16.05.2012
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Zenun Pajaziti kryetar i Komisionit, në mbledhjen e sotme shqyrtoi Raportin vjetor të Komisionit të pavarur për miniera dhe minerale (KPMM) për vitin 2011.
Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i KPMM-së, Ahmet Tmava, i cili vuri në pah punën e deritashme dhe sfidat që e përcjellin KPMM-në. Drejtori Tmava, tah se në funksion të zbatimit të Ligjit për miniera dhe minerale, KPMM-ja në fokus të angazhimeve të veta ka mënjanimin e operatorëve ilegal të eksploatimit të zhavorit. Lidhur me këtë, ai njoftoi se KPMM-ja ka konfiskuar gjashtë kamionë dhe një ekskavator të operuesve ilegal, ndërkaq, me shoqatën "Zhavori" kanë bashkëpunim të ngushtë në luftimin e kësaj dukurie. Ai në vijim njoftoi për procedurat e licencimit të operatorëve, numrin e gjobave të shqiptuara, të hyrat e realizuara dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera relevante në përmbushjen e obligimeve ligjore.
Drejtori Tmava, iu përgjigj edhe pyetjeve që ngritën anëtarët e Komisionit. Për sa i përket licencimit të operatorëve, Tmava tha: "Askush nuk mund të pajiset me licencë duke mos zbatuar kriteret ligjore të licencimit". Duke folur për gjobat e shqiptuara nga gjykatat, ai ishte i mendimit se ato në rastet më të shpeshta nuk arrijnë efektet e kënaqshme në parandalimin e veprimtarisë kundërligjore. Po ashtu, ai foli edhe për sfidat që janë paraqitur për funksionalizimin Institutit të Gjeologjisë.
Pas kësaj, anëtarët e Komisionit vlerësuan se Raporti i KPMM-së përmban informata të bollshme për punën një vjeçare të KPMM-së, dhe e miratuan atë.
Po ashtu, në këtë mbledhje Komisioni miratoi edhe Raportin me rekomandime (pesë sosh) të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.