Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi u takua me kryetaren e Kuvendit të Portugalisë, znj. Esteves
, 17.05.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në kuadër të vizitës zyrtare në Lisbonë, është pritur sot në takim nga kryetarja e Kuvendit të Portugalisë, znj. Maria da Assunçao Andrade Esteves.
Duke i dëshiruar parlamentarëve të Kosovës mirëseardhje në Parlamentin e Portugalisë, zonja Esteves e cilësoi takimin si mundësi të mirë për tu njohur me zhvillimet në të dyja vendet, veçanërisht me punën në parlamentet respektive, ndërsa potencoi dëshirën dhe vullnetin e Parlamentit portugez për thellimin e bashkëpunimit parlamentar. Ajo theksoi se Portugalia, brenda kapaciteteve te saj, do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha drejtimet, veçanërisht në proceset integruese në Bashkimin Evropian. Esteves shtoi se Parlamenti i Portugalisë është i hapur për të mbështetur parlamentet e vendeve të ndryshme në ndërtimin e demokracisë parlamentare, përfshirë këtu edhe Kuvendin e Kosovës.
Kryetari Jakup Krasniqi, duke e falënderuar zonjën Esteves për mikpritjen, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Portugalisë për Republikën e Kosovës dhe theksoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve duhet të thellohen edhe më tej. Kreu i Kuvendit e njoftoi homologen e tij portugeze për zhvillimet në Kosovë, si dhe për hapat e mëdhenj që ka bërë vendi pas shpalljes së pavarësisë, duke u shndërruar kështu në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.
Duke folur për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës, kryetari Krasniqi përmendi faktin që Kosova deri më tani është njohur nga 90 vende të ndryshme të botës, anëtare të OKB-së, por veçoi edhe sfidat me të cilat ajo po ballafaqohet. Përkitazi me këtë, Krasniqi tha se pengesë serioze e bashkëpunimit të gjithanshëm të Kosovës me BE-në është mosnjohja nga pesë vende të këtij unioni.
"Presim që edhe këto vende të reflektojnë pozitivisht, duke e njohur Kosovën shtet të pavarur dhe kësisoj, duke i hapur vendit tonë mundësi për marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe për zhvillim normal të proceseve integruese", theksoi kryeparlamentari Krasniqi, duke kërkuar mbështetjen e Portugalisë në këtë drejtim.
Fillimi i studimit fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, shtoi kryetari Krasniqi, është një hap i rëndësishëm për Kosovën në këtë proces.
"Liberalizimi i vizave dhe lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në BE është një prioritet i yni, prandaj presim ndihmën tuaj në këtë drejtim", theksoi kryeparlamentari Krasniqi.
Në këtë takim, kreu i legjislativit foli edhe për dialogun teknik me Serbinë, gjendjen në veri të vendit dhe ndërhyrjet e Serbisë në atë pjesë të territorit, raportet me shtetet fqinje etj. Marrëdhëniet e Kuvendit të Kosovës me Parlamentin Evropian, kryeparlamentari i cilësoi mjaft të mira dhe të frytshme, duke vlerësuar thirrjet të PE -së, radhazi, që të gjitha vendet e Bashkimit Evropian ta njohin Kosovën. Ai dha një pasqyrë të përbërjes dhe të funksionit të Kuvendit, si dhe foli për bashkëpunimin me parlamente të shteteve me traditë demokratike.
Në këtë rast, kryetari Krasniqi i bëri ftesë homologes portugeze për vizitë zyrtare në Kosovë.
Delegacioni parlamentar i Kosovës gjatë qëndrimit në Lisbonë, është takuar sot edhe me Komisionin për Çështje Evropiane dhe atë për Buxhet, Financa dhe Administratë Publike. Edhe në këto takime parlamentarët portugez shprehën gatishmërinë për ta përkrahur Kosovën, veçanërisht në fushën e integrimit evropian. Ndërkaq, u këmbyen pikëpamje dhe informata lidhur me funksionimin e këtyre komisioneve si dhe u shqyrtuan mundësitë për shkëmbimin e përvojave.
Kreu i Kuvendit iu përgjigj interesimit të parlamentarëve portugez për çështje të ndryshme, si: marrëdhëniet me vendet e rajonit, në veçanti me Serbinë, zhvillimi i dialogut me Beogradin, marrëveshjet e arritura dhe mos zbatimi i tyre etj.
Kryetari Krasniqi po qëndron në Portugali i shoqëruar nga nënkryetarët: Sabri Hamiti dhe Petar Miletiq, si dhe Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Delegacioni nesër kthehet në Kosovë.