Lajmet e fundit

U lansua projekti "Mundësi të reja për angazhim të shoqërisë civile me Kuvendin e Kosovës"

, 22.05.2012




Me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe shoqërisë civile, si dhe përcaktimit të modaliteteve për pjesëmarrjen e organizatave të shoqërisë civile në proceset legjislative dhe mbikëqyrëse, Kuvendi dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë kanë filluar iniciativën e re të dialogut ndërmjet legjislativit të vendit dhe shoqërisë civile.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiq, në këtë rast, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile, duke veçuar partneritetin ndërmjet kësaj të fundit dhe Kuvendit. Ai tha se nga shkëmbimi i ideve përfitojnë Kuvendi dhe shoqëria civile, si dhe shoqëria e Kosovës në përgjithësi. Rritja e këtij bashkëpunimi, theksoi ai, është përgjegjësi e të dyja palëve.

Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Teuta Sahatqija, tha se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile është i domosdoshëm. Ajo tha se shoqëria civile në Kosovë është mjaftë aktive dhe e profilizuar, ndërsa Kuvendi ka bashkëpunim të mirë me të. Ajo përmendi shembuj dhe projekteve konkrete të këtij bashkëpunimi, por shtroi nevojën e një bashkëpunimi më të strukturuar e të planifikuar.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, theksoi se Kuvendi përpiqet të krijojë kushte për qasjen e organizatave të shoqërisë civile në punën e tij, ndërsa përmendi një varg punëtorish të organizuara në funksion të rritjes së këtij bashkëpunimi. Ai foli gjithashtu, për punën transparente të komisioneve parlamentare, pjesëmarrjen e kënaqshme të shoqërisë civile nëpër dëgjime publike etj. Sekretari Krasniqi veçoi edhe interesimin në rritje të qytetarëve për ta vizituar Kuvendin, përgjigjet pozitive që Kuvendi u ka dhënë të gjithë të interesuarve për vizitë dhe të gjitha kërkesave për qasje në dokumente publike.
Gjatë kësaj punëtorie Kuvendi prezantoi databazën së organizatave të shoqërisë civile, e cila së shpejti do të bëhet publike në ueb-faqen e Kuvendit. Organizatave të shoqërisë civile do t'ju mundësohet regjistrimi në këtë detabazë, e cila do tu ofrojë atyre qasje më të mirë në punën e Kuvendit të Kosovës.

Zyrtari i Programit nga ana e OSBE-së në Kosovë, Philipp Annawitt, ndërkaq, prezantoi rezultatet e një hulumtimi për marrëdhëniet ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile, rezultatet e të cilit u diskutuan ndërmjet anëtarëve të panelit, zyrtarëve të tjerë të Kuvendit dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. U prezantua, gjithashtu, edhe "Libri i Referencës për Organizatat e Shoqërisë Civile. Pjesëmarrja në proceset legjislative, buxhetore dhe të mbikëqyrjes në Kuvend", i cili mund të përdoret si burim për organizatat e shoqërisë civile që dëshirojnë të angazhohen në punën e Kuvendit të Kosovës.

 

U lansua projekti