Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
, 22.05.2012
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, temë qendrore shqyrtimi ishte procesi i akreditimit në arsimin e lartë. Përkitazi me këtë temë, anëtarët e Komisionit i njoftoi Ferdije Zhushi Etemi, kryetare e Agjencisë Kosovare për Akreditim, agjenci kjo që garanton cilësinë e punës arsimore dhe kërkimore shkencore në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. Znj. Ferdije Zhushi Etemi me këtë rast theksoi se kjo Agjenci nëpërmjet proceseve profesionale dhe transparente të vlerësimit dhe kontrollit të cilësisë apo mjeteve të tjera që konsiderohen të përshtatshme nga ajo, angazhohet që institucionet t'i plotësojnë praktikat më të mira ndërkombëtare. Agjencia siguron që standardet dhe cilësia e arsimit të lartë në Kosovë të jenë të krahasueshme me ato në hapësirën evropiane të arsimit të lartë. Në vijim ajo tha se Këshilli Shtetëror i Cilësisë, si organ vendimmarrës i AKA, përbëhet nga 6 ekspertë të shquar vendës dhe tre ndërkombëtarë, ndërsa garanton vendimmarrje të pavarur, transparente dhe profesionale.
Procesi i parë i pavarur i organizuar nga AKA me ekipin e zgjedhur të ekspertëve ndërkombëtar ishte vlerësimi institucional i Universitetit publik të Prishtinës, i cili u realizua në periudhën 2008-2009, ndërsa rezultoi me akreditimin institucional të UP-së. AKA realizoi edhe procesin e akreditimit institucional dhe të programeve të bartësve privat të arsimit të lartë në Kosovë, kurse në këtë proces u inkuadruan 63 ekspertë ndërkombëtarë.Nga ky proces rezultoi se asnjëri nga bartësit privat, pa marrë parasysh numrin e studentëve , nuk i plotëson kushtet për të vepruar si universitet, për të dhënë thirrje akademike për stafin e tij dhe për të organizuar studime të doktoratës. Si pasoje e mangësive të evidentuara KKC mori vendim dhe i propozoi Qeverisë që këto institucione të regjistrohen si kolegje, institute e shkolla të larta profesionale.. Nga ky proces dolën 6 kolegje, 3 institute, 2 shkolla profesionale dhe një shkollë e lartë teknike. Znj.Zhushi foli edhe për aktivitetet e këtij Agjensioni në vitet 2012-2013.
Në debatin që pasoi diskutuesit theksuan parregullsi në disa institucione private, sidomos me rastin e pranimit të studentëve në programe të paakredituara, pranimin e studentëve pa provim të maturës, si dhe shfaqën mospajtime me praktikën e reklamimit të institucioneve me emërtime universitet, e në fakt nuk janë universitete, ndërsa kërkohej njëherësh që të ndërmerren masa ligjore ndaj institucioneve të tilla. U kritikuan edhe rastet e regjistrimit të studentëve pas skadimit të afatit të regjistrimit, duke shtruar edhe pyetjen se çfarë behët me studentët, në rastet kur nga agjensioni tërhiqet akreditimi për ndonjë institucion të lartë.
Anëtarët e Komisionit ishin të kënaqur me punën e Agjencisë Kosovare për Akreditim, por shtruan nevojën për një angazhim edhe më të madh rreth monitorimit të cilësisë së programeve.