Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...
, 23.05.2012
Duhet bërë më shumë për implementimin e Ligjit për barazi gjinore. Kështu u konstatua sot në dëgjimin publik, organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ky dëgjim publik zhvilloi punimet nën kryesimin e kryetares së Komisionit, Suzan Novobërdaliu, e cila fillimisht i njoftoi të pranishmit për qëllimin e këtij debati. Lidhur me këtë, ajo tha se Komisioni në fokus të angazhimeve të tij ka monitorimin e këtij Ligji.
Përfaqësuesja e Agjencionit për Barazii Gjinore (ABGJ), Leonora Selmanaj, duke vënë në pah mangësitë e ligjit dhe shkaqet e mos implementimit të tij, u shpreh se ligji aktual ka nevojë për plotësim- ndryshim. Duke folur për integrimin sa më të madh të grave në shoqëri, Selmanaj vlerësoi se zgjidhja e problemeve ekonomike është çelës për integrim të suksesshëm të gruas. Ndër shkaqet që pengojnë implementimin e ligjit, veçoi buxhetin kufizuar dedikuar kësaj fushe.
Ndërkaq, përfaqësuesja e Policisë së Kosovës (PK), togerja Tahire Haxholli, duke vënë në pah gatishmërinë e policëve që ligji të gjejë zbatim sa më të madh, njoftoi se 95% e rasteve të raportuara për shkelje të Ligjit për barazi gjinore i përkasin gjinisë femërore. Ajo vlerësoi se Ligji duhet të përmbajë dispozita të qarta ndëshkuese për shkelësit e Ligjit. I të njëjtit mendim ishte edhe përfaqësuesi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala. Përfaqësuesi i KMDLNJ-së po ashtu tha se duhet krijuar një mekanizëm ekzekutivë për mbikëqyrjen e Ligjit. Lidhur me këtë Ligj, po edhe ligjet e tjera që janë duke u miratuar në Kuvendin e Kosovës, Shala u shprehë se ato janë të imponuara nga faktori ndërkombëtar. Këto ligje tha ai, janë sipas standardeve të BE-së, ndërkaq, janë në shpërputhje të madhe në mes të asaj që kërkohet dhe mundësive të implementimit. Për implementimin e këtij Ligji, në takimin e sotëm foli edhe Bogolub Stalitoviq, zv. i Avokatit të Popullit. Ai tha se ky institucion është duke u përpjekur për tretman të barabartë të të gjithëve pa dallim gjinie. Edhe përfaqësuesit komunal të zyrave për barazi gjinore duke folur për implementimin e këtij Ligji vunë në dukje mungesën buxhetore. Ata po ashtu kërkuan mbështetje edhe më të madhe nga nivelet qendrore. Përfaqësuesja e shoqatës UN-WOMEN, Flora Maksutaj, ndërkaq, tha se Ligji duhet harmonizuar me një mori ligjesh të tjera, dhe potencoi se Ligji aktual nuk është i përshtatshëm për rrethanat në Kosovë.
Në fund të debatit, pjesëmarrësit e këtij takimi u pajtuan se përfaqësimi i gjinisë femërore në jetën institucionale është i ulët, veçanërisht shqetësuese mbetet pjesëmarrja e gruas në vendimmarrje. Me këtë rast ata kërkuan nga institucionet që në harmoni me Ligjin për barazi gjinore kjo pjesëmarrje të fillojë të implementohet në masën prej 40%, ashtu siç është e paraparë në dispozitat ligjore.
Pas kësaj, kryetarja e Komisionit, Novobërdaliu, tha se rekomandimet e shfaqura do t'i bashkëngjiten raportit final lidhur me implementimin e Ligjit për barazi gjinore.