Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

, 24.05.2012




Në kujtim të 13 viktimave të aksidentit tragjik të Himarës, deputetët e Kuvendit të Kosovës, mbledhjen e sotme e filluan me një minutë heshtje.

Mbledhja vazhdoi me rendin e ditës, ndërkaq, e kryesoi dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit (një pjesë të saj e kryesoi nënkryetari dhe anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Sabri Hamiti). Në vijim, u ratifikua një dhe shqyrtuan për herë të parë katër projektligje, si dhe një sërë tjerash në lexim të dytë. Po ashtu, në këtë mbledhje u shqyrtuan edhe disa raporte të agjencive.

Në dy pikat e përhershme në mbledhje plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, deputetët ngritën një varg çështjesh nga ana e tyre.

Duke iu referuar pikës së parë të rendit të ditës foli edhe kreu i Kuvendit, i cili bëri sqarime lidhur me termin "rekomandim", sipas të cilit, Kuvendi në dy mbledhje paraprake, (pas një debati të gjerë) pati miratuar disa rekomandime për Qeverinë. Duke sqaruar se a janë obligim për Qeverinë rekomandimet e miratuara nga Kuvendi, kreu i legjislativit fillimisht tha: "Qëndrimin tim për bisedimet me Serbinë dhe qëndrimin tim për fatin e të pagjeturve e din opinioni i gjerë, dhe ai qëndrim nuk ka ndryshuar". Tutje, duke iu referuara fjalorëve sqarues për këtë term, Krasniqi tha se rekomandimet nuk kanë fuqi juridike që obligon, por ato vlejnë vetëm si sugjerime. Krasniqi, po ashtu sqaroi se këto shpjegime i bën për shkak të një keqinterpretimi dhe keqkuptimi të termit. Ndërkaq, duke iu referuar edhe dispozitave kushtetuese, Krasniqi tërhoqi vëmendjen se dokumente që obligojnë Qeverinë janë: rezolutat e miratuara, ligjet, aktet nënligjore, vendimet dhe deklaratat e Kuvendit, e jo rekomandimet.

Në vijim, ministrat Ferid Agani e Ibrahim Makolli iu përgjigjën pyetjeve që shtruan deputetët.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjeve, ndërsa, ministri Ministrisë së Infrastrukturës, Fehmi Mujota, kërkoi nga deputetët që Projektligji për Agjencinë e shërbimeve të navigacionit ajror, të shtyhet deri në harmonizimin e amendamenteve të tij. Kërkesa e ministri Mujota u aprovua nga deputetët, ndërsa mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, të cilin para deputetëve e paraqiti ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza. Deputetët me shumicë absolute të votave, e miratuan në parim këtë Projektligj. Në vijim të mbledhjes, deputetët unanimisht miratuan edhe Projektligjin për ratifikimin e këmbimit të notave diplomatike për statusin e forcave të huaja mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lidhur me këtë para deputetëve foli ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili tha se me këtë Ligj Kosova vendosë dhe forcon marrëdhëniet e veçanta me SHBA-në. Ai, po ashtu tha se me këtë Ligj sigurohet korniza ligjore për personelin e SHBA-së, që nuk janë pjesë e KFOR-it. Deputetët, në parim, e miratuan edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën kontestimore. Këtë Projektligj para deputetëve e paraqiti zv. kryeministri dhe ministri i Ministrisë së drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Në këtë mbledhje, deputetët në parim miratuan edhe Projektligjin për taksën rrugore dhe ekologjike të automjeteve dhe Projektligjin për grevat. Këto projektligje i paraqitën ministrat e kabinetit qeveritar, Kuçi e Rashiq. Pas kësaj, në mungesë kuorumi, kryesuesi i mbledhjes propozoi prolongimin e shqyrtimit të projektligjeve në leximin e dytë, ndërkaq, vijoi me shqyrtimin e Raportit vjetor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për vitin 2011. Lidhur me këtë, kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, Ahmet Isufi, duke folur për Raportin tha se ai i plotëson kushtet për miratim së bashku me rekomandimet e dala nga Komisioni. Pas deklarimeve nga shefat e grupeve parlamentare, të cilët u shprehën në favor të Raportit, ai u përkrah unanimisht edhe nga deputetët e pranishëm.

Në vijim të mbledhjes, deputetët iu kthyen përsëri shqyrtimit të projektligjeve, duke filluar me shqyrtimin e Projektligjit për teatrot. Ky projektligj, ndonëse gjatë fazës së shqyrtimit të amendamenteve ngjalli debate në mes të deputetëve, së fundmi u përkrah dhe u miratua me shumicë votash. Është shqyrtuar për herë të dytë dhe është miratuar gjithashtu edhe Projektligji për mbeturina, si dhe Raporti vjetor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për vitin 2011, si dhe Raporti vjetor i Rregullatorit për Ujëra dhe Mbeturina.

Deputetët i kanë shqyrtuar por ka munguar kuorumi për miratim të këtyre raporteve vjetore (për vitin 2011) të agjencive që i përgjigjen Kuvendit:

Raportin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, Raportin e Agjencisë Kosovare të Pronës, Raportin e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, dhe Raportin vjetor të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, si dhe Raportin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Seanca i vazhdon punimet, të premten, në orën 10:00.

 

Mbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e Kuvendit