Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion

, 28.05.2012




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Arben Gashi, u shqyrtua raporti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për vitin 2011.

Me këtë rast kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, gjatë prezantimit të këtij raporti, duke folur për punën dhe aktivitetet e KQZ-së, theksoi se në fillim të vitit 2010 kanë përfunduar zgjedhjet parlamentare dhe së bashku në këtë raport janë përfshirë edhe rivotimet e disa komunave, si dhe aktivitetet që ka ndërmarrë KQZ-ja në periudhën jo zgjedhore.

Ajo tha se KQZ-ja ka bërë reformë brenda institucionit, për ndryshimin e rregullores së brendshme. Ndërsa, si njërën prej të arriturave kryesore të KQZ-së gjatë periudhës jo zgjedhore, Daka përmendi strategjinë për përmirësimin e listës së votuesve. Ajo shtoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë formuar një grup pune, me ç‘rast po identifikojnë emrat e personave të vdekur, emrat e personave të cilët nuk janë shtetas të Kosovës, apo të cilët e kanë humbur të drejtën që të votojnë. Megjithatë, ajo theksoi se puna e tyre në këtë drejtim është ndërprerë për shkak të zgjedhjeve që janë duke ndodhur aktualisht.

Më tej, ajo foli edhe për pjesëmarrjen e tyre në grupin e punës për reformën zgjedhore, si dhe për rekomandimet e KQZ-së në këtë drejtim, duke përmendur mes tjerash edhe Ligjin për Financimin e Partive Politike. Me këtë rast ajo theksoi se në këtë ligj ka mangësi dhe rekomandimet e tyre nuk janë marrë parasysh. "Ne kemi kërkuar që të bëhet harmonizimi i këtij ligji, por si duket Kuvendi nuk ka gjetur mirëkuptim për këtë", theksoi Daka.

Kryetarja e KQZ-së duke folur për procesin e votimin jashtë vendit, tha se është kërkuar që kjo çështje të definohet, meqë është konsideruar se ky proces është jashtëzakonisht i kushtueshëm, i komplikuar dhe ka treguar efekt të vogël. Sipas saj KQZ-ja ka kërkuar që vota jashtë vendit të mbetet vetëm për zgjedhjet parlamentare, e jo ato lokale. Ndërsa, shtoi se vota me kusht e vështirëson procesin zgjedhor dhe i vonon rezultatet e tyre.

Anëtarët e Komisionit kërkuan sqarime të shumta nga Daka lidhur me stafin e KQZ-së, trajnimet, vizitat studimore, regjistrin civil, rivotimet dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Më tej u kërkuan sqarime rreth planifikimit të KQZ-së lidhur me zgjedhjet presidenciale, si dhe në rastet nëse zgjedhjet mund të jenë të përbashkëta. Duke e cilësuar vitin e ardhshëm si një vit elektoral dhe si një sfidë për KQZ-në, anëtarët e komisionit vlerësuan raportin duke theksuar se ky raport është më i mirë, krahasuar me atë të vitit paraprak. U tha po ashtu se KQZ-ja po avancohet.

Dakaj duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit tha se mbajtja e zgjedhjeve të përbashkëta për KQZ-në do të ishte sfidë, por në rast se vendoset një gjë e tillë atëherë KQZ-ja do t'i organizojë zgjedhjet siç duhet, tha ajo.

Ndërkaq, sa i përket planifikimit për zgjedhjet presidenciale ajo shtoi se meqë akoma nuk ka përfunduar ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet, nuk mund të bëhet ndonjë planifikim konkret nga KQZ-ja, meqë sipas saj edhe brenda KQZ-së duhet të ndryshojnë rregullat ekzistuese në bazë të ligjit.

Anëtarët e Komisionit shprehën shqetësimin e tyre lidhur me shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv të KQZ-së, për të cilën çështje u kërkua informatë shtesë me shkrim nga KQZ-ja. U tha se raporti do të përkrahet dhe do të procedohet në seancë plenare, pas informatës së KQZ-së lidhur me këtë çështje.

Më tej anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe vendimin e Presidentes së Kosovës për kthimin e nenit 37 dhe 38 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për rishqyrtim. Me këtë rast anëtarët e komisionit duke folur rreth këtij vendimi theksuan se Presidentja nuk ka sjellë në komision ndonjë arsyetim konkret, megjithatë u dakorduan që për këtë çështje të mbahet një konferencë, gjatë javës së ardhshme.

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion