Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
, 28.05.2012
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, ka shqyrtuar sot kërkesën për Rishikim të Buxhetit të Kuvendit të Kosovës, për vitin 2012, dy raporte financiare dhe një propozim-vendim.
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, arsyetoi para komisionit kërkesën për rishikim të buxhetit, e cila erdhi si rrjedhojë e shkurtimit të buxhetit të Kuvendit për vitin 2012. Pas diskutimeve, komisioni përkrahu kërkesat, me përjashtim të asaj për mjete shtesë në programin e stafit politik mbështetës (hapja e zyrave rajonale të deputetëve). Kërkesa lidhej me nevojat buxhetore të Kuvendit në pjesën e dytë të vitit dhe funksionalizimin të mëtejmë të punës së tij, ndërsa ishte plotësim i kërkesave të adresuara qysh në fillim të këtij viti.
Raportin Financiar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vitin 2011, e prezantoi Betim Gjoshi, anëtar i këtij komisioni. Ai dha një pasqyrë përmbledhëse të shpenzimeve të KQZ-së përgjatë vitit të kaluar, si dhe iu përgjigj një sërë pyetjeve e çështjeve të ngritura nga ana e deputetëve. Pas sqarimeve të nevojshme, komisioni përkrahu raportin dhe i rekomandoi seancës për miratim.
U përkrah, gjithashtu, edhe raporti financiar të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2011 dhe propozim-vendimi i Komisionit për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Në këtë mbledhje komisioni krijoi gupet punuese për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë dhe atë për takën rrugore dhe ekologjike.