Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Jashtme priti delegacionin e komisionit homolog të Turqisë
, 29.05.2012
Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Albin Kurti, ka pritur sot delegacionin shumanëtarësh të Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë së Madhe të Turqisë, të cilit udhëheq kryetari i këtij komisioni, Volkan Bozkir.
Duke i uruar mirëseardhje delegacionit parlamentar turk, Kurti e ka vlerësuar lart mbështetjen e pakursyer të popullit dhe shtetit turk, jo vetëm për njohjen e shpejtë të pavarësisë së Kosovës, por për gjithë ndihmat e tyre: para, gjatë dhe pas çlirimit të vendit tonë. Ai ka theksuar faktin e njohjes së Kosovës nga 90 shtete të tjera, por ka spikatur edhe vështirësitë që po i sjellin vendit mosnjohja nga pesë vende të BE-së. Konsolidimit të shtetit të Kosovës po i kontribuuon edhe zhvillimi i pamjaftueshëm i vendit, papunësia e madhe dhe veprimi i strukturave të Serbisë në një të katërtën e territorit tonë shtetëror.
Kurti e ka vlerësuar fuqizimin ekonomik dhe ndikimin politik që ka Turqia, jo vetëm në rajon, prandaj ka kërkuar mbështetje edhe më të madhe për Kosovën dhe afirmimin ndërkombëtar të saj. Ai ka theksuar potencialet e mëdha të resurseve njerëzore dhe minerare që ka Kosova, prandaj e ka quajtur tepër të rëndësishëm për vendin tonë edhe zhvillimin e partneritetit ekonomik dhe strategjik me shtetet mike, sidomos shtimin e investimeve ekonomike në sferën e prodhimit.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë së Madhe të Turqisë, Volkan Bozkir, është shprehur se ndjehet i ngazëllyer dhe krenar për këtë vizitë, për pritjen e ngrohtë që i është rezervuar delegacionit parlamentar, të cilin e drejton dhe për të arriturat demokratike dhe të shtetndërtimit në Kosovë. Duke u shprehur i bindur se të arriturat e Kosovës së re janë shumëfish më të mëdha se ngecjet e defektet në këtë proces të vështirë, ai është shprehur optimist se Turqia dhe Kosova në një të ardhme jo shumë të largët do të jenë në të njëjtën tavolinë në NATO dhe në BE. Bozkir ka theksuar se vendi i tij e mbështet Kosovën dhe në të gjitha takimet ndërkombëtare dhe lobon për njohjen e Kosovës nga sa më shumë shtete.
" Do të përqendrohemi sidomos tek ato shtete, të cilat ekstremissht pengojnë njohjet e reja", ka thënë parlamentari turk. Ai, ndërkaq , është shprehur i bindur se Kosovën do ta njohin shumë vende të cilat e shkundën diktaturën në "Pranverën Arabe".
Duke u shprehur i bindur për rolin që ka parlamenti i fuqishëm për ndërtimin e demokracisë së një vendi dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë të legjislativëve të dy vendeve, Bozkir ka shfaqur gatishmërinë e vendit të tij për ta mbështetur Kosovën në shumë plane.
Takimit i kanë kontribuuar edhe anëtarët e tjerë të të dyja komisioneve homologe. Pavarësisht të programeve dhe dallimeve të tyre brenda parlamenteve nacionale, ata kanë theksuar me kënaqësi se nuk dallojnë me pozitën kur bëhet fjalë për respektin e madh që kanë dhe mbështetjen e pakursyer për vendet mike respektove: Kosovë-Turqi dhe anasjelltas.