Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
, 31.05.2012
Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit (një pjesë të saj e kryesoi nënkryetari dhe anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Sabri Hamiti), deputetët ngrenë çështje të ndryshme, si dhe shtruan pyetje të shumta parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, të cilave iu përgjigjën ministrat: Dardan Gashi, Ramë Buja, Enver Hoxhaj dhe Besim Beqaj.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka marrë fjalën në Kuvend për të folur për procesin e liberalizimit të Kosovës. "Agjenda e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dje ka shënuar një të arritur pozitive dhe konkrete", ka theksuar Thaçi, duke përkujtuar se pas fillimit të bisedimeve me BE-në për procesin e liberalizimin e vizave, BE-ja e ka zyrtarizuar vendimin për udhërrëfyesin për liberalizimin vizave për Kosovën. Ai ka theksuar se që nga dje fillon një etapë e re e bashkëpunimit të Kosovës me BE-në, duke u zotuar se qeveria, të cilën e udhëheq, do të trajtojë me prioritet të gjitha përgjegjësitë që dalin në këtë plan. Kreu i qeverisë i ka falënderuar të gjithë kryetarët e komunave për punën që kanë bërë për riatdhesimin e bashkatdhetarëve tanë të kthyer nga vendet e perëndimore, si dhe gjithë spektrin politik të Kosovës për unitetin e manifestuar, sa i përket rrugës së Kosovës drejt integrimeve evropiane.
Në vazhdim të seancës deputetët janë marrë me shqyrtimin e projektligjeve në shqyrtim të dytë. Raportin e Komisionit funksional për Arsim shkencë dhe Teknologji lidhur me amendamentet e propozuara për Projektligjin për Diasporën e Kosovës, e ka paraqitur Idriz Vehapi, kryesues i këtij komisioni. Me propozimin e deputetit, Hydajet Hyseni, ndërkaq, projektligjit në fjalë ia ndryshua emërtimi në "Projektligjin për Diasporën dhe Mërgatën", i cili me këtë emër edhe u miratua me shumicë votash të deputetëve të pranishëm në sallë.
Raportin me rekomandime lidhur me Projektligjin për ndërtim e ka paraqitur Nait Hasani, kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari,Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, i cili e ka vlerësuar si një projektligj të mirë, që do të vërë rregull në fushën e ndërtimeve dhe do ta pamundësojë korrupsionin në këtë lëmë të ekonomisë. Qëndrime krejtësisht të kundërta para deputetëve ka paraqitur nënkryetari i këtij komisioni, Liburn Aliu. Ai ka theksuar se ka pasur shkelje ligjore dhe procedurale gjatë fazës së amendamentimit, përfshirë këtu edhe largimin e ekspertëve, nga seanca e dëgjimit publik për projektligjin, për shkak të arbitraritetit dhe shpërfilljes së propozimeve korrekte të tyre. Në vazhdim është votuar për amendamentet e propozuara, si është miratuar projektligji në tërësi.
Po në këtë seancë është votuar disa herë radhas lidhur me Rekomandimin e Komisionit të posaçëm për votimin e listës së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese. Votimi ka filluar pasi që kryeparlamerntari Krasniqi ua ka lexuar deputetëve rregullën kushtetuese, sipas së cilës për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese nevojiten dy të tretat e deputetëve të pranishëm në sallë dhe që votojnë. Në përfundim të shumë rrathëve të votimit, nga pesë kandidatë e propozuar, votat e deputetëve i mori Arta Rama-Hajrizi. Emri i saj i përcillet Presidentes së Kosovës për ta dekretuar gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Do të përsëritet, ndërkaq, konkursi për një anëtar tjetër të kësaj gjykate.
Në përfundim të seancës deputetët kanë shqyrtuar Raportin për funksionimin e sistemit të auditimit të brendshëm në sektorin publik, për vitin 2011. Raportin me rekomandime për këtë çështje e ka paraqitur kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e financave publike, Ali Sadriu.
Në seancën e sotme është formuar Komisionit ad- hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media dhe të Bordit për Ankesa të Komisionit të Pavarur për Media.