Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
, 01.06.2012
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, të kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, lidhur me themelimin e Zyrës Administrative në Mitrovicën Veriore, paraqiti një informatë zëvendëskryeministri e ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviq.
Në fjalën e tij, z. Petroviq, theksoi se themelimi i zyrës,pos nga institucionet më të larta të Kosovës, ka gjetur përkrahje edhe nga bashkësia ndërkombëtare,si:ICO-ja ,EULEX-i, KFOR-i dhe UNMIK-u. Kjo zyrë, tha ministri Petroviq, do të ketë 55 punonjës, ndërsa do të udhëhiqet nga drejtori ekzekutiv. Tashmë është shpallur edhe konkursi për plotësimin e vendeve të punës të kësaj zyre, ndërsa deri tash për këto vende pune kanë konkurruar 151 veta, por pritet që numri i konkurruesve të jetë edhe më i madh. Projekti që ka të bëjë me themelimin dhe punën e kësaj zyre u vlerësua si një fillim i mbarë. Z. Petroviq shprehu besimin se qytetarët do të t' i drejtohen kësaj zyre, madje janë të evidentuara shumë kërkesa për dokumente e shërbime të tjera. Me këtë rast u tha se Zyra Administrative në Mitrovicën Veriore do të ndihmohet edhe nga komunat tjera të Kosovës.