Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

, 04.07.2012




Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, i kryesuar nga kryetari i komisionit, Ali Sadriu, shqyrtoi sot raportin e auditimit të pasqyrave financiare për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, për vitin 2011.

Me këtë rast, Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage Olofsson, duke shprehur kënaqësinë e tij rreth opinionit të këtij raporti, me theks të veçantë për mënyrën se si janë adresuar sfidat e vitit paraprak nga kjo ministri, theksoi se MKK-ja ka bërë shumë punë, me standarde të mira dhe raportim të mirë, por shtoi Olofsson, këtë ministri e presin edhe sfida të tjera.

Përfaqësues të ZAP-it, gjatë prezantimit të këtij raporti vlerësuan se krahasuar me vitin paraprak në këtë ministri janë vërejtur mjaft përmirësime të dukshme, duke përmendur se nga tetë rekomandimet e ZAP-it, pesë prej tyre janë plotësuar në tërësi, ndërkaq tri sosh janë në proces të implementimit.

Më tej, u theksua se MKK-ja ka shpenzuar buxhetin brenda kufijve të pritur, por u theksua edhe tendenca e shpenzimeve, e cila u tha se ka qenë në rritje, në tre muajt e fundit të vitit. Konkluzioni i përgjithshëm i Auditorit është se në këtë ministri janë vërejtur përmirësime të dukshme krahasuar me vitin e kaluar, por mbeten disa obligime të menaxhmentit që në fushat në të cilat janë identifikuar me mangësi, të përmirësohen vitin e ardhshëm, theksuan përfaqësues të ZAP-it.

Ministri i MKK-së, Radojica Tomiq, theksoi mes tjerash se pjesa më e madhe e rekomandimeve të Auditorit janë plotësuar, duke vlerësuar se kjo ministri ka shënuar progres, falë punës ekipore në MKK. "Kemi ndërmarrë masa konkrete që t'i zgjidhim dhe t'i eliminojmë mangësitë që janë theksuar nga ana e auditorit dhe t'i përmirësojmë në një kohë sa më të shkurtër", tha ministri Tomiq.

Duke përmendur disa nga rekomandimet e ZAP-it, anëtarët e komisionit vlerësuan se në këtë ministri ka nevojë të përmirësohet procesi i prokurimit, meqë janë identifikuar disa mangësi. Ndërsa, kërkuan sqarime nga përfaqësues të MKK-së lidhur me projektin e ndërtimit të ujësjellësit, marrëveshjen mes MKK-së dhe Komunës së Shtërpces, regjistrimin e pasurisë, shpenzimet, financimin e projekteve të OJQ-ve, si dhe për vonesën e realizimit të ndërtimit të objekteve banesore në Graçanicë, për të cilat çështje u përgjigj sekretarja e përgjithshme në MKK, Zana Kotorri.

Anëtarët e komisionit u dakorduan që raporti të mos procedohet në mbledhjen e Kuvendit, ndërsa përgëzuan ministrin Tomiq për progresin e shënuar në MKK, duke theksuar se duhet vazhdohet më tej angazhimi i kësaj ministrie, në mënyrë që të gjitha rekomandimet të zbatohen.

 

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike