Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

, 28.08.2012





Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, në një mbledhje të përbashkët me përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural (MBPZHR), diskutuan për gjendjen e krijuar në pyjet e Kosovës, pas përfshirjes së tyre nga zjarri. Nënkryetari i parë i komisionit, Liburn Aliu, duke shprehur shqetësimin e tij për numrin e madh të sipërfaqes së pyjeve të përfshira nga zjarri dhe dëmin e madh që janë duke pësuar ato, fillimisht njoftoi se së bashku me nënkryetarin tjetër të komisionit, Rasim Demirin, kanë vizituar malin Koritnik të komunës së Dragashit. Ne, tha në vijim Aliu, kemi takuar kryetarin e komunës së Dragashit, Selim Jonuzi dhe përgjegjësin e Zyrës Rajonale të pyjeve. Nënkryetarët Aliu e Demiri, po ashtu kishin parë nga afër edhe gjendjen në teren dhe përpjekjen e njësiteve të zjarrfikësëve si dhe pjesëtarëve të FSK-së për shuarjen e zjarrit. Shpërthimi i zjarrit në atë zonë, tha në vijim Aliu, ka ndodhur më gjashtë gusht, në malet e Shqipërisë, i cili dy javë më vonë ka përfshirë Malin e Koritnikut. Pas kësaj, nga zjarri janë përfshirë edhe malet e Krstecit dhe Rapçit, njoftoi nënkryetari Aliu. Duke folur për dëmet e shkaktuara nga ky zjarr, Aliu tha:" Nga 1000 mijë ha i pishave të llojit Robull, janë djegur më shumë se gjysma". Shqetësimin e tyre për situatën e krijuar në pyjet e Kosovës, me theks të veçantë në komunën e Dragashit e të Deçanit, shprehën edhe anëtarët e tjerë të komisionit. Anëtarët e komisionit po ashtu adresuan një varg kritikash në emër të Qeverisë së Kosovës dhe ekzekutivit të kuvendeve komunale.

Gjatë diskutimit të tij lidhur me këtë foli edhe përfaqësuesi i MBPZHR-së, Hasan Uka. Ndonëse përgjegjësia për ruajtjen e pyjeve është në kompetencë të institucioneve komunale, tha në fillim Uka, Qeveria e Kosovës nuk ka bërë sa duhet për të krijuar mekanizma adekuat për tu përballur me sukses në rast të krizave emergjente sikur kjo e tashmja. Duke folur për angazhimet e njësiteve komunale dhe ndihmën e FSK-së, ai vlerësoi se zjarri që ka përfshirë malet, është i papërballueshëm për potencialet komunale madje edhe të vetë shtetit të Kosovës. Përfaqësuesi i MBPZHR-së, Uka, me këtë rast kritikoi ashpër edhe angazhimin e pamjaftueshëm të qytetarëve për shuarjen e zjarrit.

Pas diskutimeve, komisioni vendosi që të formulojë rekomandime për organet kompetente, duke përfshirë edhe kërkesën për ndihmë ndërkombëtare që të përballemi me sukses me zjarret, si dhe sanimin e dëmeve të shkaktuara prej tyre.

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...