Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Jashtme priti sot një grup studentësh britanikë
, 25.09.2012
Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Albin Kurti, ka pritur sot një grup studentësh të Universitetit Cambrigde nga Mbretëria e Bashkuar, me të cilët ka biseduar për zhvillimet në Kosovë, për sfidat aktuale të vendit dhe për synimet e popullit të Kosovës.
Kurti, pasi u ka përkujtuar studentëve britanikë shpalljen e pavarësisë së Kosovës patra katër vjetësh e gjysmë, ka theksuar faktin që vendin tonë tashmë e kanë njohur rreth gjysma e shteteve të botës, në mesin e të cilave edhe 22 vende të Bashkimit Evropian. Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë për më shumë njohje, sidomos nga pesë vendet e mbetura të BE-së, si dhe për zhvillim ekonomik, duke përmendur shifra për varfërinë dhe papunësinë e popullsisë së Kosovës. "Duam të zhvillojmë marrëdhënie të gjithanshme bilaterale me vendet që na kanë njohur", ka theksuar Kurti, duke shtuar se vendi ka nevojë për investime dhe për mbështetje me ekspertë fushash përkatëse, ndërkohë që Kosovës i dërgohen kryesisht policë dhe prokurorë.
Studentët britanikë kanë dashur të dinë më shumë për dallimet e partive politike lidhur me zhvillime në Kosovë dhe rajon, për raportet me BE-në, përfshirë edhe pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, për bisedimet me Serbinë, për rolin e Rusisë në rajonin Ballkanit, për valutën e mundshme kombëtare të Kosovës etj.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve, Kurti ka shprehur qëndrimet e njohura të subjektit politik, të cilit i përket, por ka theksuar gjithashtu se për shumë çështje që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit, si anëtarësimi në BE dhe në NATO, ekziston konsensus ndërmjet partive politike dhe ka pohuar se ky synim është edhe vullnet i popullit të Kosovës.
Nënkryetari i Komisionit, Hydajet Hyseni, ka theksuar vullnetin e përgjithshëm që mbretëron në Kosovës për ta bërë shtetin e ri vend të zhvilluar e demokratik dhe storie të suksesit të përbashkët të vendorëve dhe faktorëve ndërkombëtarë që e kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës.
"Kosova ka qenë dhe mbetet evropiane në aspektin gjeografik, historik dhe kulturor, por duam që të jemi evropian edhe në planin politik", ka thënë Sabri Hamiti, i cili është shprehur i habitur që ndonjë vend evropian që nuk e ka njohur Kosovën, bën krahasime të paqëndrueshme të ndonjë krahine të tij me Kosovën.
Nënkryetari tjetër i Komisionit, Enis Kervan, ka folur për integrimin e suksesshëm të komuniteteve pakicë në Kosovë, pos një pjese të komunitetit serb, si dhe për garantimin kushtetues të të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve pakicë.
Donika Kadaj-Bujupi, ndërkaq, ka folur për synimet e popullsisë së re të Kosovës për dije, kulturë dhe punësim, duke theksuar nevojën urgjente për liberalizimin e vizave, në mënyrë që të realizohen me sukses këto synime shumë legjitime.
Para takimit me studentët britanikë, Komisioni për Punë të Jashtme ka shqyrtuar nismën për organizimin e një takimi në Prishtinë me komisionet homologe të vendeve të rajonit.