Lajmet e fundit

Grupi i Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës nderon sakrificën e Lëvizjes Studentore të vitit 1997

, 01.10.2012




Në nderim të protestave studentore të 1 Tetorit të vitit 1997, kur mijëra studentë shqiptarë të Universitetit të Prishtinës kërkuan të drejtat e tyre që ishin rëndë të cenuara nga okupatori serb, një delegacion i Grupit të Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës të shoqëruar me përfaqësues të Unionit të Studentëve Pro Evropianë dhe Paqes Studentore bënë homazhe dhe vunë kurora lulesh tek Pllaka përkujtimore në Velani, ku atëbotë u nis marshi protestues.

Grupi i prirë nga kryetarja znj.Ganimete Musliu, shoqëruar nga deputeti z.Burim Ramadani dhe përfaqësuesit e organizatave studentore pas homazheve vizituan edhe familjen e Rektorit të ndjerë të UP-së, prof.Ejup Statovcit, ku u pritën ngrohtësisht nga bashkëshortja znj.Drita Statovci dhe vajza e të ndjerit Anila Statovci.

Gjatë vizitës në familjen Statovci u bisedua për angazhimin dhe kontributin e prof.Ejup Statovcit dhënë arsimit shqip dhe çështjes kombëtare në përgjithësi. Znj.Musliu në emër të Grupit shprehu mirënjohje për angazhimin e profesor Statovcit në procese të rëndësishme të historisë sonë.

Bashkëshortja e profesor Statovcit, znj.Drita Statovci, pos falënderimeve dhe mirënjohjeve për këtë vizitë për të gjithë grupin dhuroi nga një libër, ndërsa e bija znj.Anila Statovci mes tjerash theksoi : ‘' Më vjen mirë që ju si gjeneratë e re e vendit, jeni kujtuar dhe përkujdesur që të na vizitoni në këtë ditë shumë të rëndësishme, si për familjen tonë, ashtu edhe për vendin në përgjithësi ‘'.

 

Grupi i Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës nderon sakrificën e Lëvizjes Studentore të vitit 1997