Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
, 01.10.2012
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion të kryesuar nga kryetari i komisionit Arben Gashi, u shqyrtuan dhe u përkrahën dy raporte me amendamente të komisioneve funksionale, të Projektligjit nr. 04/L-87 për Parkun Kombëtar "Sharri", si dhe të Projektligjit nr. 04/L-86 për Parkun Kombëtar "Bjeshkët e Nemuna".
Pas diskutimeve dhe shqetësimeve që u zhvilluan gjatë këtij takimi lidhur me Projektligjin nr. 04/L-86 për Parkun Kombëtar "Bjeshkët e Nemuna", anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe kërkesën e Kuvendit Komunal të Klinës, me ç‘rast është kërkuar nga Komisioni për Legjislacion interpretim ligjor, lidhur me të drejtat banesore.
U tha se kjo çështje duhet të procedohet për trajtim në komisionin funksional me rekomandimin e komisionit se kjo çështje është e mbuluar shumë saktë nga ligji dhe nuk duhet të jepet kurrfarë interpretimi nga Kuvendi.
Ndërkaq, shqyrtimi i propozimeve për emërimin e anëtarëve të Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës, si dhe shqyrtimi në parim i Projektligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, është shtyrë për shqyrtim për mbledhjen e radhës. Nga rendi i ditës është hequr edhe formimi i grupit punues në Projektligjin për provimin e jurisprudencës.