Lajmet e fundit

Ministri Makolli raportoi lidhur me aktivitetet e Ministrisë së Diasporës

, 02.10.2012




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Albin Kurti, kryetar i Komisionit, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka raportuar para anëtarëve të Komisionit për dy orë rresht, për aktivitetet e Ministrisë, për periudhën mars-shtator, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të shumta të tyre për gjendjen e mërgatës sonë në vende të ndryshme të botës.

Ministri, Makolli, fillimisht ka folur për strukturimin e Ministrisë së Diasporës dhe punësimin e 80 për qind të stafit politik dhe civil të Ministrisë, për të cilët janë organizuar trajnime për aftësimin me tyre profesional, duke vazhduar pastaj për aktivitetet e shumta në Kosovë dhe në vende të ndryshme të botës. Ai ka përkujtuar se ka nënshkruar marrëveshjen për hapjen e Qendrës Kulturore në Turqi, e cila do të realizohet këtë vit, e në vazhdim ka pohuar se do të hapen qendra të ngjashme edhe në SHBA, në Gjermani, Zvicër, Austri dhe në vendet Skandinave. Ministri ka theksuar se janë bërë përpjekje për organizimin e mësimit plotësues në gjuhen shqipe për fëmijët e mërgimtarëve tanë në vendet perëndimore, megjithëse përfshirja e tyre, aktualisht, nuk kalon pesë për gjind të tyre, ka thënë ai. Në këtë mes ai ka dalluar për të mirë rastin e nxënësve shqiptarë në shkollat e Suedisë. Për nxënësit e shkollave shqipe jashtë vendit, Ministria ka dërguar mbi 50 mijë ekzemplarë librash të ndryshme në gjuhën shqipe, ka organizuar kampingje për nxënësit që janë kthyer për pushime në Kosovë, ka mundësuar regjistrimin me kuotë të një kontigjeti studentësh në Universitetin e Prishtinës, si dhe mbajtjen e praktikës institucione për shumë studentë të tjerë nga mërgata jonë. Në kuadër të manifestimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, Ministria ka organizuar një konferencë shkencore për rolin mërgatës sonë për shtetformim dhe një konferencë tjetër për rolin e saj në integrimet evropiane. Ministria, ka theksuar ministri, ka vënë kontakte me institucionet e Shqipërisë dhe me institucione të shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës për qasje të përbashkët ndaj mërgatës sonë në botë. Ministria ka krijuar grupin ndërinstitucional për hartimin e regjistrit të bizneseve dhe nxitjen e investimeve në Kosovë, si dhe ka organizuar fushata për sensibilizimin e mërgatës sonë për ta mbështetur Kosovën në mënyra të ndryshme. Ai ka përmendur Konferencën kombëtare të diasporës, e cila parashihet të mbahet gjatë muajit dhjetor të këtij viti, si dhe Kongresin e mërgatës sonë, gjatë vitit të ardhshëm, i cili mëtohet të jetë tradicional.

Anëtarët e Komisionit kanë shtruar pyetje të shumta dhe kanë ngritur shqetësime e tyre për gjendjen kulturore dhe sociale të bashkatdhetarëve tanë, duke sugjeruar integrimin e suksesshëm të tyre në vendet perëndimore, por edhe mbajtjen e lidhjeve me atdheun e origjinës. Ata kanë tërhequr vëmendjen për shumë probleme të panevojshme që u shkaktohen mërgimtarëve tanë kur vijë në Kosovë si: mungesa e kartonit të gjelbër, biletat e shtrenjta të aviokompanieve, zvarritja e dhënies së dokumenteve të ndryshme etj.

Kryetari i Komisionit, Kurti, ka kërkuar nga ministri i Diasporës që Ministria më shumë se ta përfaqësojë Qeverinë në diasporë, ta përfaqësojë diasporën në Qeveri. Edhe anëtarët e tjerë të Komisionit i kanë sugjeruar ministrit masat që duhen ndërmarrë për ngritjen kulturore të bashkatdhetarëve tanë dhe për investimin e kapitaleve të tyre në ekonominë e Kosovës.

Ministri Makolli, duke i vlerësuar vërejtjet dhe sugjerimet e anëtarëve të Komisionit për punë të Jashtme, ka marrë zotimin se shumë pyetjeve të shtruara do tu përgjigjet me shkrim dhe me referenca faktike.

 

Ministri Makolli raportoi lidhur me aktivitetet e Ministrisë së Diasporës