Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion i Asamblesë Parlamentare të NATO-së
, 03.10.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetarët e Kuvendit, priti sot një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-së, anëtarë të Komisionit për Dimensionin Civil të Sigurisë, të kryesuar nga Lordi Thomas Michael JOPLINBG, dhe ka biseduar me ta për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, për synimet e Kosovës për integrime evropiane dhe euroatlantike dhe për procesin e bisedimeve me Serbinë.
Kryeparlamentari Krasniqi, duke u uruar mirëseardhje në Kosovës asamblistëve të NATO-s, e ka falënderuar trupat e KFOR-it, të cilat luajnë rol të pazëvendësueshëm për sigurinë e Kosovës dhe për paqe e stabilitet në këtë pjesë të Evropës Juglindore, e në mënyrë të veçantë për mbështetjen dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai me këtë rast u ka shprehur keqardhje për sulmet e herëpashershme kundër trupave të NATO-s që kanë ndodhur në pjesën veriore të Kosovës.
Në vazhdim Krasniqi ka folur për zbatimin e Planit gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari në Kosovë, si dhe për miratimin e një serrë ligjesh që garantojnë të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve, si rezultat i të vilave Grupi Ndërkombëtar për Kosovën, më 10 shtator të këtij viti, të vendosë për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Kreu i kuvendit ka folur edhe për luftën e institucione kundër krimit të organizuar si dhe për synimet e Kosovës për integrime evropiane dhe euroatlantike. Ai ka kërkuar nga asamblistët e NATO-s që Kosova ta zë vendin e vëzhguesit të përhershëm në Asamblenë Parlamentare të kësaj aleance ushtarake.
Kryesuesi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Thomas Michael JOPLINBG, ka theksuar se vijnë në Kosovës pas takimeve që kanë pasur me kryeministrin serb, Daciq, me të cilin kanë biseduar për krizën financiare të Serbisë. Gjatë qëndrimit në Kosovës, gjatë ditës së djeshme, ka theksuar takimet që ka pasur me qytetarë serbë dhe shqiptarë në pjesën veriore të Kosovës, nga të cilat takime janë ndarë me përshtypje jo të mira për tensionimet në atë pjesë të Kosovës. Ai ka shfaqur shpresën se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndikojnë pozitivisht për shtensionimin e situatës dy vendeve. " Nuk është e thënë që komunitetet të duhen shumë. Mjafton që ato të durohen dhe të kultivojnë koekzistëncë paqësore ", ka theksuar Lordi JOPLINBG. Ai ka dashur të dijë më shumë nga drejtuesit e Kuvendit të Kosovës, për zbatimin e Planit të Ahtisarit, për marrëdhëniet e Kosovës me vendet fqinje, dhe sidomos për marrëveshjen partiake për tejkalimin e kizës kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Krasniqi ka theksuar marrëdhëniet shumë të mira të Kosovës me Malin e Zi, me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Ai ka folur edhe për marrëdhënie tepër të mira me Bullgarinë dhe Turqinë dhe me vendet e dala nga përbërja e ish-Jugosllavisë; Kroacinë dhe Slloveninë. Madje të mira i ka r vlerësuar edhe raportet me Greqinë, e cila ende nuk e ka njohur Kosovën. Përjashtim bën vetëm Serbia, ka thënë Krasniqi, duke theksuar: " Ndërkohë që Kosova e ka shtrirë dorën e saj të miqësisë fqinjit të saj të veriut, Serbia të sajën e ka bërë grusht", është shprehur Krasniqi, duke theksuar se institucionet e Kosovës kanë investuar të prodhojnë siguri në rajon. " Para çdo bisedimit të ri me Serbinë, duhet të vihen në zbatim marrëveshjet e arritura në Bruksel", ka thënë kreu i Kuvendit.
Krasniqi ka pohuar se Plani i Ahtisarit është inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës. Problemet në veri të Kosovës ushqehen nga Serbia dhe janë rezultat i dështimit të UNMIK-ut dhe i EULEX-it në integrimin e kësaj pjese të territorit të Kosovës, ka thënë kreu i Kuvendit.
Duke folur për historinë e marrëveshjes ndërmjet krerëve të tri partive për tejkalimin e krizës për zgjedhjen e presidentit, por edhe për Rezolutën e Kuvendit për ndryshimet kushtetuese dhe të sistemit zgjedhor, Krasniqi ka theksuar qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që e ka vënë në bllokadë jo vetëm marrëveshjen politike, por edhe ndryshimet kushtetuese dhe ligjore.
Nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, duke folur në këtë temë u ka thënë asembleistëve të NATO-s: "Zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat janë vlerësuar jo fer dhe jo të lira, kanë prodhuar një Parlament, i cili nuk mund ta zgjidhte presidentin. LDK-ja ka bërë marrëveshje që të tejkalohej kriza e presidentit. Mendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk u jep të drejtë kryeministrit dhe presidentes të bëhen kryeneçë dhe të mos e zbatojnë marrëveshjen".