Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti z. Johannes Wiegand, shef i Misionit të FMN-ës për Kosovë

, 22.10.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me z. Johannes Wiegand, shef i Misionit të FMN-ës për Kosovë dhe z. Jose Sulemane, përfaqësues rezident i FMN-ës për Kosovë. Temë themelore e takimit ishte thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar,në lëmin e krijimit të kushteve për stabilitet makrofinanciar në Kosovë, duke ditur njëkohësisht rëndësinë që ka në këtë lëmë edhe legjislacioni përkatës financiar.

Pasi theksoi se FMN-ja dhe Qeveria e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme ndjekin realizimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë dhe FMN-ës, shefi i Misionit të FMN-ës për Kosovë, Johannes Wiegand foli për projektet që e presin Kosovën, posaçërisht në fushën e infrastrukturës, duke veçuar në këtë aspekt autostradën 6, e cila planifikohet të përshkojë caqet Prishtinë -Shkup. Gjatë këtij takimi ai shtroi edhe çështjen e shpejtimit të procedimit dhe të aprovimit të Ligjit për buxhet për vitin 2013, duke u shprehur se duhet një angazhim i madh edhe nga Kuvendi që ky Projektligj të aprovohet deri nga mesi i dhjetorit të vitit 2012.

Kryekuvendari Krasniqi falënderoi Z. Wiegand për bashkëpunimin e ndërsjellë, i cili është gjithnjë në ngritje,ndërsa në vijim ai i bëri një vështrim edhe zhvillimit të tri fushave të tjera, siç janë: arsimi, shëndetësia dhe ndërtimi i kapaciteteve në mbështetje të resurseve të vendit, siç është thëngjilli. Sa i përket bashkëpunimit FMN-Kuvendi, kreu i i legjislativit tha se të gjitha projektet dhe marrëveshjet që lidhen ndërmjet e Kosovës e FMN-ës marrin dy të tretat e votave të deputetëve, që do të thotë se projektet nga ky institucion aq i rëndësishëm financiar përkrahen nga Kuvendi.

 

Kryekuvendari Krasniqi priti z. Johannes Wiegand, shef i Misionit të FMN-ës për Kosovë