Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti drejtoreshën rajonale të BB-së Jane Armitage

, 13.11.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot drejtoreshën rajonale të Bankës Botërore, znj. Jane Armitage, e cila shoqërohej nga. Jan-Peter Olters, shef i kësaj banke në Kosovë.

Në takim është biseduar për bashkëpunimin e Kosovën me Bankën Botërore dhe për rolin e Kuvendit në miratimin e pakos së ligjeve në lëmin e ekonomisë dhe financave.

Drejtoresha rajonale të Bankës Botërore, Jane Armitage, ka shprehur kënaqësinë e saj për stabilitetin ekonomik të Kosovës dhe ruajtjen e parametrave pozitiv makroekonomik, si dhe për përparimet që janë bërë për lehtësimin e të bërit biznes, në kohën kur shumë vende të rajonit dhe të botës janë futur në recesion. Ajo ka theksuar se BB-ja do të vazhdojë ta mbështesë sektorin energjetik të Kosovës, të shëndetësisë dhe sidomos të arsimit, për të cilin do të zhvillojë programe të rëndësishme.

Duke folur për rëndësinë e zhvillimit ekonomik të vendit dhe të sektorit energjetik në Kosovë që e mundëson dhe e nxit këtë zhvillim, Armitage ka përmendur një kredi të vogël prej 4 milionë euro që do t'i jepet Kosovës për mbulimin me dhe pyllëzimin e deponive të hirit në Kastriot , i cili projekt do të jetë shumë i dobishëm për ambientin jetësor dhe për investimet në të ardhmen edhe për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike.

Kryeparlamentari Krasniqi e ka falënderuar Bankën Botërore për aktivitetet e saj të deritanishme për projekte zhvillimore në ekonomi dhe arsim, duke e quajtur fat për Kosovën interesin e kësaj banke për vendin tonë. Duke folur për nevojat e Kosovës për zhvillim të përshpejtuar të vendit, Krasniqi ka theksuar se vendi i nevojitet një zhvillim prej 8- 10 për qind për ta absorbuar deri në njëfarë mase numrin e madh të rinjve, pjesa më e madhe e të cilëve janë të arsimuar. Ai është shprehur se Kuvendi është kujdesur shumë për miratimin e pakos së ligjeve në lëmin e ekonomisë dhe financave dhe për ratifikimin e të gjitha marrëveshjeve me mekanizmat financiar ndërkombëtarë, FMN-në dhe BB-në.

Kreu i Kuvendit ka vënë në pah resurset e mrekullueshme energjetike, minerare dhe humane që i ka Kosova, prandaj ka vlerësuar programet e Bankës Botërore në Kosovë, duke u angazhuar që të vazhdohet të ndihmohet zhvillimi ekonomik i vendit.

 

Kryeparlamentari Krasniqi priti drejtoreshën rajonale të BB-së Jane Armitage