Lajmet e fundit
Deklaratë e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, me rastin e shpalljes së pafajshmërisë së luftëtarëve të lirisë, në rastin Haradinaj
, 29.11.2012
Vendimi i sotëm Tribunalit të Hagës, me të cilin shpallen të pafajshëm zotërinjtë Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, rikonfirmon pastërtinë e luftës që kanë bërë këta luftëtarë dhe shokët e tyre. Edhe njëherë u dëshmua se drejtësia mund të vonojë, por vjen përfundimisht.
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Hagës, padyshim është ngjarje e rëndësishme në jetën personale të ish akuzuarve, të familjeve dhe miqve të tyre, por mbi të gjitha, përbën një akt madhor me të cilin për të satën herë rrëzohen akuzat e pabaza kundër drejtësisë dhe pastërtisë së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këtë vendim, drejtësia ndërkombëtare dëshmoi profesionalizmin e saj, kredibilitetin dhe besueshmërinë e lartë që gëzon.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë çlirimtare dhe sipas zakoneve e rregullave ndërkombëtare të luftës, prandaj nuk mund të inkriminohet nga asnjë gjykatë.
Shpreh bindjen e plotë se edhe në rastet tjera të luftëtarëve të lirisë, duke përfshirë edhe këtë të fundit me zotin Fatmir Limaj me shokë, drejtësia do të fitojë, duke shpallur pafajësinë e tyre dhe drejtësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në emër të Kuvendit dhe timin, të sapoliruarve nga Tribunali i Hagës u dëshiroj mirëseardhje në atdheun e tyre dhe sukses e mbarësi në jetë, theksohet në deklaratën e kryekuvendarit Krasniqi.