Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së

, 21.12.2012




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, u shqyrtuan propozim - amendamentet për Projektligjin nr. 04/L-160 për Agjencinë e Regjistrimit Civil, ndërsa miratimi i këtyre amendamenteve është shtyrë për mbledhjen e radhës me arsyetimin se duhet të bëhen edhe disa sqarime shtesë.

Po ashtu, anëtarët e komisionit diskutuan lidhur me shqyrtimin në parim të Projektligjit nr. 04/L-173 për përgjimin e telekomunikimeve, para shqyrtimit të tij në lexim të parë. Duke e vlerësuar si një projektligj që trajton një çështje të ndjeshme, anëtarët e komisionit u dakorduan që para deklarimit për miratim në lexim të parë ky projektligj të analizohet mirë, me qasje profesionale. Kjo çështje do të jetë në rend dite në mbledhjen e radhës së komisionit.

Më tej, anëtarët e komisionit vendosën që të kërkojnë një shkresë nga MPB-ja, lidhur me gradimin e eprorëve apo zyrtarëve të lartë në Policinë e Kosovës, si dhe t'iu mundësohet atyre qasja në dokumentacion dhe kontakti me zyrtarët të cilët e kanë përbërë komisionin përzgjedhës të kandidatëve. Me këtë rast anëtarët e komisionit në mbledhjen e radhës do të formojnë grup punues lidhur me këtë çështje.

Tutje, anëtarët e komisionit u pajtuan që të kërkojnë informata edhe nga Drejtori i Policisë së Kosovës lidhur me fillimin e procesit të verifikimit të sigurisë për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. U theksua se ky është një proces i ndjeshëm dhe duhet të zhvillohet konform procedurave ligjore. Komisioni ka diskutuar edhe për çështje që lidhen me planin e punës për vitin 2013.

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së