Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
, 31.01.2013
Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti), kryeministri Hashim Thaçi i ka informuar deputetët për takimin e katërt të zhvilluar në Bruksel me kryeministrin e Serbisë.
Në fjalën e tij para ligjvënësve, kryeministri Thaçi tha se në këtë takim është biseduar për zhbërjen e strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë në Kosovë, për përmbylljen e plotë të Marrëveshjes së IBM-së, në veçanti në fushën e doganave, si dhe për veprimet që do të ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të vendit tonë. Ai tha se në këto takime janë shënuar përparime të theksuara në vendosjen e raporteve normale ndërshtetërore mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, si dhe në heqjen e pengesave dhe ndërhyrjeve ilegale nga ana e Serbisë. Si përfundim i këtij takimi, shtoi kryeministri Thaçi, ka ardhur vendimi që pala serbe ka marrë obligime për zhbërjen e strukturave ilegale të sigurisë në Kosovë, është arritur marrëveshje në fushën e doganave, sipas të cilës vendoset rendi dhe ligji në këtë fushë, konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve dhe sistemit unik doganor të Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës, ndërkaq, sipas Thaçit, ka prezantuar për përmirësimin e gjendjes ekonomiko-sociale të qytetarëve në veri të vendit.
"Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë është në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon, në të mirën e qytetarëve, si dhe do të mundësoj integrimin sa më të shpejt të shtetit tonë në Bashkim Evropian", theksoi kryeministri Thaçi.
Duke folur për marrëveshjen e arritur në fushën e doganave, ai tha se në pikat 1 dhe 31, dogana, akciza dhe TVSH-ja do të mblidhen sipas ligjeve të Kosovës dhe do të derdhet fillimisht në Thesarin e shtetit. Ndërkohë, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Prishtinë, do të hap një llogari bankare, në një nga bankat komerciale në Prishtinë, ku do të menaxhohen mjetet nga pika 1 dhe 31 përkohësisht.
Kryeministri shtoi se fondi do të drejtohet nga një bord tre anëtarësh, një përfaqësues nga Qeveria e Republikës së Kosovës, një nga komuniteti dhe një nga Bashkimi Evropian, ndërsa vendimet për investimet kapitale dhe infrastrukturore, merren me konsensus. Në mungesë të konsensusit, vota e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian është përcaktuese.
"Marrëveshja për doganat është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e saj. Kjo marrëveshje mbron parimin që Kosova është një zonë unike doganore. Në tërë vendin ka aplikim të njëjtë të ligjeve shtetërore, që e rregullojnë këtë fushë. Me këtë marrëveshje vendoset rendi dhe ligji në fushën e doganave në pjesën veriore të vendit, si dhe ndalen parregullsitë që kanë ekzistuar për këtë gjë", tha më tutje kreu i ekzekutivit të vendit, duke shtuar se me këtë marrëveshje, gjithashtu, zhbëhen strukturat paralele në fushën e doganave, normalizohen aktivitetet doganore, si dhe sigurohet një evidencë e plotë mbi aktivitetet tregtare dhe ekonomike.
Në aspektin politik, me këtë marrëveshje, shtoi kryeministri i Kosovës, Serbia ka njohur definitivisht shtetin e Kosovës në fushën e doganave, e cila, sipas tij, mundëson normalizimin e marrëdhënieve tregtare mes dy shteteve, sipas kritereve të Bashkimit Evropian.
Pas fjalës së kryeministrit, përfaqësuesit e grupeve parlamentare prezantuan qëndrimet e tyre lidhur me bisedimet në Bruksel.
Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, deputetja Vjosa Osmani, duke e konsideruar të përgjithshme informatën nga ana e kryeministrit, shtroi nevojën për qartësi në segmente të caktuara. Kështu, ai kërkoi që të qartësohet emërimi i përfaqësuesit të Kosovës në Republikën e Serbisë, krijimi i fondit zhvillimor për veriun, konkretisht kohëzgjata e tij, si dhe progresi në dialog, sa i përket strukturave të Serbisë në veri dhe ofërtën e institucioneve të Kosovës. Ajo kërkoi, gjithashtu, që të sqarohet çështja e zgjedhjeve në veri dhe rolit të OSBE-së në këtë proces. Duke u thirrur në rezolutën e Kuvendit, Osmani kërkoi ratifikimin e marrëveshjeve në Kuvendin e Kosovës.
Duke prezantuar qëndrimin e Grupit Parlamentar të PDK-së lidhur me këto bisedime, deputeti Shaip Muja konsideroi se ato janë obligime kushtetuese të kryeministrisë, në përshkrimin e detyrave të përditshmërisë për zgjidhjen e problemeve të krijuara për vite të tëra. Ai tha se disa nga deklarimet në publik, nuk kanë bazë juridike e as politike. Megjithatë, sipas tij, qeveria është duke shkuar në mënyrë të qetë dhe të qartë, me qëllimin dhe vizionin që e parasheh edhe Kushtetuta: shtrirjen e institucioneve të Republikës së Kosovës edhe në pjesën veriore të vendit. Lidhur me ratifikimin e marrëveshjeve, ai tha se ato janë në kuadër të obligimeve qeveritare dhe obligimet e tilla nuk duhet të ratifikohen. Sa i përket çështjes së fondit zhvillimor për veriun, Muja tha se është obligim kushtues dhe ligjor që të zhvillohet çdo regjion i Republikës së Kosovës dhe në këtë mënyrë të hapen edhe mundësitë për integrimin dhe inkuadrimin e të gjitha strukturave shoqërore në institucionet e Republikës së Kosovës.
Duke e përsëritur qëndrimin e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes kundër bisedimeve me Serbinë, nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se prej marsit të vitit 2011, pozicioni politik dhe shtetëror i Republikës së Kosovës në negociata me Serbinë ka degraduar vazhdimisht. Ai tha se justifikimi i deritashëm i Qeverisë për negociatat me Serbinë ka qenë një filozofi e mashtrimit ‘sui generis'. Sipas tij, po krijohet dalëngadalë atmosfera politike për negociatat që po e çon Kosovën drejt autonomisë territoriale të pjesës veriore të saj.
Konjufca tha se për të ndryshuar kjo Serbi aktuale, duhet një pako e qartë kushtesh e sanksionesh. Përndryshe, shtoi ai, me këtë politikë të koncesioneve ndaj Serbisë, duke e marrë vazhdimisht me të mirë, ajo po e mban veriun dhe strukturat e saj atje, po e vazhdon spastrimin etnik të Luginës së Preshevës, dhe të gjitha këto po i arrin pa u sfiduar seriozisht rruga e saj drejt Bashkimit Evropian.
Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, tha se partia e tij vazhdon ta mbajë pozicionin që e ka pasur që në fillim të këtyre bisedimeve, por shtroi nevojën që përpos informimit të kryeministrit në Kuvendin e Kosovës, subjektet politike të jenë të informuara para çdo takimi në Bruksel. Gjini tha se Kosova duhet ta ketë një listë të problemeve praktike që dalin nga marrëdhëniet joekzistente politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se marrëveshjet e deritanishme nuk e cenojnë atë që është vendosur më herët në Kuvend.
Zhbërjen e strukturave serbe në veri të Kosovës, kryetarja e Grupit Parlamentar të KKR-së, Myzejene Selmani, e konsideroi një hap të mirëpritur nga të gjitha subjektet politike, i cili, siç tha ajo, çon në stabilizimin e gjendjes në veri. Funksionimi i sistemit doganor, sipas saj, ndikon në përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike të qytetarëve në pjesën veriore të Kosovës, ndalimin e kontrabandës dhe ekonomisë joformale.
Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e SLS-së, Petar Miletiq, mirëpriti raportin e kryeministrit për të informuar deputetët lidhur me bisedimet e zhvilluara dhe për t'u njohur me detajet e dialogut, aspektet funksionale dhe problemet potenciale. Duke u angazhuar për dialog, Miletiq shtoi se Partia Liberale serbe e ka të qartë se dialogu nuk do të ketë rrjedhë të lehtë dhe e ka të qartë gjithashtu, se do të ketë mjaft probleme gjatë këtij procesi, si dhe interpretime të ndryshme nga aspekti i zgjidhjeve politike që ofrohen, në funksion të konsumit ditor nga ana e politikës së brendshme dhe asaj të jashtme. Por, ai tha se kjo nuk duhet të ketë efekte dekurajuese në rregullsinë e dialogut, si rrugë e vetme e zgjidhjes së problemeve.
Në debatin e sotëm, me diskutimet e tyre kontribuuan edhe deputetët: Agim Kuleta, Sabri Hamiti, Alma Lama, Hydajet Hyseni, Muhamet Mustafa, Hykmete Bajrami, Emin Gërbeshi, Hashim Deshishku, Albin Kurti, Teuta Sahatqija, Rexhep Selimi, Anton Quni dhe Visar Ymeri.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ndërkaq, dhanë sqarime në çështjet dhe shqetësimet e ngritura nga deputetët.
Në vazhdim, Kuvendi vazhdoi punimet pikat e tjera të rendit të ditës.
Në cilësi të sponsoruesit, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, prezantoi para deputetëve Projektligjin për transportin rrugor, Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. Përfaqësuesit e komisioneve funksionale, ndërkaq, arsyetuan rekomandimet e komisioneve për miratimin e këtyre projektligjeve në shqyrtim të parë.
Përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe deputetët e tjerë gjatë diskutimeve, vlerësuan, përgjithësisht, me tone pozitive përmbajtjet e këtyre projektligjeve, por dhanë edhe vërejtje për nene të caktuara, duke kërkuar përmirësimin e tyre gjatë procesit të amandamentimit në komisionet funksionale.
Kuvendi miratoi këto projektligje dhe konform rregullores, ngarkoi komisionet përkatëse që brenda afat të përcaktuar t'ia sjellin seancës raportet me rekomandime.
Në vazhdim, ministri Dardan Gashi prezantoi Projektligjin për inspektoratin e mjedisit, ujërave, planifikimit hapësinor dhe ndërtimit, i cili, gjithashtu, u miratua nga Kuvendi.
Mbledhja e sotme e Kuvendit filloi me pikën e zakonshme të deklarimeve jashtë rendit të ditës, ndërsa pyetjeve të deputetëve iu përgjigj zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Me kërkesë të ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari - Lila, ndërkaq, seanca hoqi nga rendi i ditës shqyrtimin e pesë projektligjeve.
Mbledhja vazhdon nesër në orën 10:00.