Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
, 19.02.2013
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Suzan Novobërdali, shqyrtoi Raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit. Në këtë Raport trajtohet niveli i zbatimit të Ligjit për barazi gjinore, të drejtave të fëmijëve, lëvizja e lirë, liria e medieve dhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e të drejtave të njeriut. Raporti, po ashtu përmban edhe rekomandime, ndërkaq, komisioni vendosi që në mbledhjet e ardhshme të ftojë në takim përfaqësuesit e institucioneve relevante që merren me zbatimin e ligjit për fushat përkatëse të theksuara në Raport.
Në këtë mbledhje, komisioni formoi edhe grupet punuese për amendamentimin e projektligjeve sipas agjendës legjislative të Qeverisë së Kosovës, në të cilën është paraparë që Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, gjatë këtij viti të ketë në shqyrtim gjashtë projektligje. Po ashtu, në këtë mbledhje, komisioni miratoi edhe propozimet e grupit punues për plotësim-ndryshimin e Planit të Punës për vitin 2013.
Në këtë mbledhje u shqyrtuan edhe disa peticione të qytetarëve, për të cilat komisioni bëri edhe rekomandimet e nevojshme.