Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
, 28.02.2013
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, një pjesë të mbledhjes e kryesoi nënkryetari Sabri Hamiti, filloi me pikat e rëndomta të rendit të ditës, përkatësisht kohës për deklarime jashtë rendit të ditës. Me këtë rast deputetja Ganimete Musliu përshëndeti nismën e RTK-ës që seancat të ndiqen edhe nga personat e shurdhër, nëpërmjet gjuhës së shenjave, e cila filloi të sendërtohet nga sot. Nga deputetët u ngritën edhe çështje të tjera nga aktualiteti i vendit. U vazhdua pastaj me pyetje parlamentare, në të cilat u përgjigjën: ministrat e resorëve përkatës: Dardan Gashi, ministër i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme.
Në rendin e ditës pastaj ishte Raportimi i kryeministrit të Kosovës, z. Hashim Thaçi për takimin e tij të pestë, me kryeministrin e Serbisë,Ivica Daçiq në Bruksel,që mbahet nën drejtimin e Baroneshës Eshton. Mirëpo,posa kryeministri Hashim Thaçi doli para foltores, deputetët e grupit Lëvizja Vetëvendosje Glauk Konjufca (nënkryetar i Kuvendit) dhe deputeti Visar Ymeri (kryetar i grupit parlamentar), dolën me një pankartë, me të cilën aludohej për cenimin e integritetit territorial të Kosovës në procesin e bisedimeve me Serbinë dhe në këtë mënyrë ata ia pamundësonin kryeministrit t' iu drejtohej deputetëve . Në këtë situatë kryesuesi i seancës Sabri Hamiti dha 15 minuta pushim.
Pas pauzës Kuvendi vazhdoi punën me pikën-debat parlamentar për kompensimin e pensionistëve për kontributet e dhëna deri në vitin 1999, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në emër të parashtruesit të këtij debati, Teuta Sahatqija theksoi se kontributet pensionale të qytetarëve të Kosovës deri në vitin 1999 janë derdhur në fondin pensional të Jugosllavisë, fond ky të cilin e ka trashëguar Republika e Serbisë. Pagesat e pensioneve për qytetarët e Kosovës janë ndërprerë në qershor të vitit 1999.
Për shkak të mosnjohjes së Republikës së Kosovës nga ana e Republikës së Serbisë, pengesave të shumta administrative dhe pamundësisë në qasje në institucionet e tyre të drejtësisë, pensionistët tanë ishin të privuar prej shfrytëzimit të drejtës se tyre legjitime për marrjen e pensionit, ndonëse kjo e drejtë i garantohet çdo pensionisti me të drejtat ndërkombëtare.
Në vijim, z. Teuta Sahatqija theksoi se rasti Grudiq dhe ai i Shaban Kelmendit, të cilët realizuan të drejtën e kompensimit të pensioneve nga Gjykata e Strasburgut hasi në vesh të shurdhër në Qeverinë e Kosovës, mirëpo ajo hapi rrugën që pensionistët kosovarë të kërkojnë të drejtën e tyre për kompensim të pensioneve. Këtë të drejtë atyre ua garanton Konventa e të drejtave të njeriut . Po kështu Gjykata e Strasburgut ka hedhur poshtë mbrojtjen e Serbisë se nuk mund t' u jepen pensionet qytetarëve kosovarë pasi nga viti 1999 në Fondin Pensional të Serbisë nuk ka të hyra nga territori i Kosovës, ashtu si edhe arsyetimet e tjera. Në vijim ajo tha se Fondi pensional i Serbisë u ka borxh pensionistëve kosovarë 1,5 deri 5 miliard euro.
Ministri Nenad Rashiq tha se është e drejtë individuale dhe grupore e qytetarëve që të ankohen në gjykatat ndërkombëtare për realizimin e të drejtave të tyre, por nuk është mënyra më e mirë për realizimin e së drejtës për kompensim të pensioneve. Ndërkaq, pensionistët nuk po konsultohen me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ai propozoi që të bëhet një rekomandim lidhur me këtë çështje, e cila do t' i drejtohej Baroneshës Eshton që të dilet nga kjo situatë.
Shaip Muja (PDK) theksoi se kjo temë është shumë e ndjeshme. Serbia, tha ai, duhet të kthejë fondet e pensionistëve .Çështja e kompensimit të pensionistëve , theksoi ai në vazhdim, duhet të ngrihet në aspekt institucional.
Vjosa Osmani (LDK) theksoi se në Gjykatën e Strasburgut mund të shkojë çdo qytetar, përkatësisht duhet të shteren të gjitha mjetet juridike për kompensim të pensioneve. „Mos i mashtroni pensionistët që të mos shkojnë në Gjykatë për të drejtat e tyre. Serbia po kërkon që pensionistët të ndërrojnë nënshtetësinë për të realizuar të drejtën e kompensimit. Pensionistët e Kosovës mund të shfrytëzojnë të drejtën për kompensim, kjo e drejtë atyre nuk mund t' iu mohohet. Ndërkaq, dialogu nuk e mohon të drejtën për kompensim", theksoi Vjosa Osmani duke theksuar nevojën që të formohet një komision për këtë çështje.
Ahmet Isufi (AAK) theksoi se Fondi i pensioneve të Kosovës nuk është grabitur nga ana e ndonjë individi, por nga shteti i Serbisë, ndaj shteti i Kosovës duhet të kërkojë kthimin e këtij fondi, madje me kamatë,duke shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike që të realizojë këtë të drejtë. Zgjidhja e kësaj çështjeje nuk mund të zgjidhet individualisht, ndaj Kosova duhet të formojë një komision për këtë çështje për të mundësuar realizimin e së drejtës së kompensimit të pensionistëve të Kosovës.
Myzejene Selmani ( AKR) tha se kjo çështje është e të gjitha subjekteve politike të Kosovës. Kthimi i i pensioneve është e drejtë e qytetarëve , ndaj Qeveria e Kosovës duhet të jetë në mbrojtje të kësaj të drejte, përkatësisht realizimit të saj. Ajo u shpreh se pensionistët edhe individualisht mund t' i drejtohen Gjykatës së Strasburgut.
Gjatë debatit u tha se çështja e moskompensimit të pensionistëve është shkelje drastike e të drejtave individuale e kolektive të pensionistëve, sepse fjala është për mjete të plaçkitura nga Serbia. Dominonte mendimi se kjo çështje të zgjidhet në mënyrë kolektive dhe në mënyrë të organizuar e institucionale. Kërkohej që të formohet një mekanizëm përkatës për të ndihmuar pensionistët për realizimin e kësaj të drejte, si dhe krijohej një fond që do të ndihmonte këtë çështje.
Në përfundim të debatit deputetët aprovuan këto rekomandime:
Duke pasur parasysh gjendjen e pensionistëve të Kosovës dhe nevojën që ata të kompensohen sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike i Kosovës, dhe të gjitha grupet tjera parlamentare, pas harmonizimit të mendimeve, i propozojnë Kuvendit që nga Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojë:
1. Në afat prej dy javësh të formojë Komisionin Profesional, të përbërë nga juristë me njohuri për të Drejtat e Njeriut dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës që merren me çështjen e pensioneve.
2. Komisioni të mbledhë dokumentacionin e nevojshëm dhe të ofrojë këshilla juridike falas për të gjithë pensionistët që kërkojnë kompensim nga Serbia për kontributet e dhëna pensionale duke iniciuar raste në Gjykatën Evropiane.
Pas pauzës kryeministri Thaçi nuk ishte në sallë, ndaj kryekuvendari Krasniqi kërkoi që kryetarët e grupeve parlamentare të deklarohen rreth pikës së rendit të ditës për raportim të kryeministrit.
Elmi Reçica (PDK) tha se situata e krijuar në fillim të shqyrtimit të kësaj pike bëri të pamundur raportimin e kryeministrit Thaçi. Ismet Beqiri (LDK) propozoi që kjo pikë të shqyrtohet në seancën e nesërme, ndërsa Liburn Aliu tha se kryeministri është dashur të kthehet për raportim. Edhe Ardian Gjini (AAK) ishte i mendimit që nesër të vijë kryemistri për raportim. Mendim të njëjtë kishin edhe Myzejene Selmani(AKR) dhe Alber Kinolli (6+). Elmi Reçica në vijim tha se sipas agjendës kryemistri Thaçi nesër është në vizitë në Shqipëri, por mund të vijë në orën 19,30.
Në vazhdim, në rendin e ditës ishte shqyrtimi i dytë i Projektligjit për arsimin dhe aftësimin profesional,për të cilin raportin me rekomandime e arsyetoi, Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit për Arsim, Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, duke theksuar se janë plotësuar kushtet për miratim të Projektligjit. Pas votimit u aprovua Projektligji për arsimin dhe aftësimin profesional. Ndërkaq, u shty për një mbledhje tjetër Propozimi për zëvendësimin e anëtarit të Kryesisë së Kuvendit nga komunitetet tjera jo shumicë, sipas Marrëveshjes së Grupit Parlamentar "6+", në mungesë të kuorumit.