Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 13.03.2013




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e kryesoi Safete Hadërgjonaj, kryetare, ka shqyrtuar dy projektligje, me amendamente të komisioneve funksionale, si dhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e tij.

Komisioni vlerësoi se Projektligji për kontrollin e duhanit dhe ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për miniera dhe minerale, me amendamente të komisioneve funksionale, nuk përmbajnë implikime shtesë buxhetore. Rrjedhimisht, komisioni përkrahu ato dhe i procedoi tutje në Kuvend.

Në vazhdim, kryetarja Hadërgjonaj, e njoftoi komisionin me ecurinë e punës së grupit për shqyrtimin e Projektligjit për odat e profesionistëve shëndetësorë, me amendamente të komisionit funksional. Hadërgjonaj bëri të ditur gjithashtu, se grupi punues për mbikëqyrjen e Ligjit për menaxhimin e financave publike ka përfunduar punën dhe ka hartuar raportin, i cili do të shqyrtohet në komision në njërën nga mbledhjet e tij të ardhshme.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa