Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
, 20.03.2013
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në mbledhjen e mbajtur sot, të cilën e kryesoi z.Ali Sadriu, kryetari i Komisionit, shqyrtoi Raportin e auditimit për procesin e menaxhimit financiar dhe sistemet e kontrollit në Radio Televizionin e Kosovës, për vitin 2011, si dhe Raportin kthyes të Radio Televizionit të Kosovës, sipas kërkesës së Komisionit. Lidhur me këtë Raport Komisioni ka kërkuar nga ZAP të bëjë auditim të performancës apo auditim të menaxhimit të RTK-së. Ndërsa, lidhur me planin aksional të RTK-së, Komisioni kërkoi nga ZAP-i që të analizojë atë dhe të njoftojë Komisionin lidhur me adresimin e rekomandimeve.
Komisioni po në mbledhjen e sotme shqyrtoi edhe Raportin kthyes të Ministrisë së Administratës Publike, sipas kërkesës së Komisionit.
Komisioni, bazuar në interesimet e tij dhe kërkesën për raport, ka kërkuar informata shtesë nga Ministria e Administratës Publike.
Në këtë mbledhje Komisioni u njoftua nga deputeti Bali Muharremaj-kryesues i Komisionit vlerësues, lidhur me përzgjedhjen e auditorit të jashtëm i cili do të bëjë auditimin e ZAP-it.
Ndërsa lidhur me propozimin e deputetes Valbona Dibra, që Komisioni të kërkojë nga ZAP-i raport me shkrim lidhur me menaxhimin e stafit në këtë institucion, Komisioni vendosi që kjo çështje të diskutohet në mbledhjen e tij të radhës.