Lajmet e fundit
Vazhdimi i Seancës plenare të 4 prillit
, 05.04.2013
Në vazhdimin e sotëm të seancës së 4 prillit, të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit ( një pjesë të saj e ka kryesuar dr. Sabri Hamiti, nënkryetar) deputetët debatuan lidhur me raportet e institucioneve ndërkombëtare për zhvillimet në Kosovë.
Duke e arsyetuar kërkesën për debat në këtë temë të Grupit Parlamentar të LDK-së, deputetja Vjosa Osamani, pasi ka theksuar faktin se institucionet ndërkombëtare, në veçanti ato evropiane, në baza vjetore publikojnë raportet e tyre për zhvillimet në Kosovë, ka pohuar se imazhi ndërkombëtar i Kosovës në shumicën e këtyre raporteve paraqitet shumë i zymtë. „Në pothuajse çdo raport, mbizotërojnë vlerësimet për nivelin e lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit në vendin tonë. Për më tepër, mungesa sundimit të ligjit, ndërhyrjet politike në gjyqësor, shkelja e të drejtave themelore të njeriut nga ana e institucioneve publike, mungesa e zhvillimit ekonomik e mungesa e reformës në administratë publike, janë vetëm disa nga sfidat e paraqitura në raporte" , ka theksuar Osmani.
Në vazhdim ajo ka konstatuar se deri tani Qeveria e Kosovës nuk ka treguar përkushtimin e duhur dhe vullnetin politik për t'u marrë me këto sfida por i është qasur problemit vetëm në nivel deklarativ politik, duke fajësuar Evropën për problemet që ka Kosova dhe për kriteret që në fakt janë detyra shtëpie për institucionet e Kosovës. Tutje deputetja ka theksuar fakte nga Raporti i Fizibilitetit i publikuar ne vitin 2012, nga Rezoluta me Rekomandime e Këshillit të Evropës, nga Raporti për Liberalizimin e Vizave , si dhe 80 kriteret që kanë mbetur të paplotësuara, pastaj vlerësimet e Transparency International, e cila ende e rangon Kosovën si ndër vendet më të korruptuarat në botë, duke krijuar kështu perceptimin e një vendi që nuk është i interesuar për sundim të ligjit, tri raportet e Freedom House, sipas të cilëve Kosova vlerësohet si vend tranzicioni me nivelin jo të kënaqshëm të respektimit të lirisë së mediave, si dhe raportet e strategjitë e institucioneve ekonomike ndërkombëtare, të cilët ka thënë se dëshmojnë dështimet në politikat fiskale dhe listojnë sfidat me të cilat duhet të merret Kosova.
Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka folur deputetja Blerta Deliu-Kodra, e cila ka pohuar se gjatë këtyre pesë viteve të pavarësisë dhe të qeverisjes së mirë, Kosova ka realizuar të arritura të mëdha. „Shteti i Kosovës ka forcuar subjektivitetin e tij shtetëror, duke u njohur nga shumica e v endeve të botës", ka thënë Kodra, duke shtuar që Kosova po bën hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE dhe OKB. Ajo ndër sukseset e kësaj qeverie ka theksuar heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë gjatë vitit 2012, duke e quajtur Kosovën vend kredibil për BE-në.
Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, Sali Morina , ka theksuar se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet sfidë për Qeverinë e Kosovës. Ai ka pohuar se për nga të ardhurat Kosova vlerësohet në nivelin e Ugandës dhe Haitit, kurse për sa i përket korrupsionit në sektorin publik vendi ynë vlerësohet në nivelin Bolivisë dhe Gabonit. „Kosova po dështon në përmbushjen e standardeve demokratike", ka përfunduar Morina.
Deputeti Afrim Kasolli, duke folur në emër të Grupit Parlamentar Vetëvendosje! ka theksuar se Kosova po shënon hapa mbrapa në zhvillim ekonomik, në planin përmbushjes së standardeve demokratike dhe të drejtave të njeriut, duke e radhitur vendin në fund të listave të të arriturave të shteteve të botës.
Donika Kadaj- Bujupi, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, ka prezantuar fakte nga raporte të ndryshme ndërkombëtare, të cilat e prezantojnë në dritë të keqe Kosovën , por të cilat i ka vlerësuar të bazuara dhe fajin për to ia ka ngarkuar Qeverisë së Kosovës. Duke përmendur aferat e vjedhjeve , madje edhe në Polici, ajo ka konstatuar:"Krimi i organizuar po i kap të gjithë sektorët e jetës në Kosovë".
Kosova është e gjithë qytetarëve të saj dhe jo vetëm e Qeverisë Thaçi, ka theksuar deputetja Myzejene Selmani, duke folur në emër të
Grupit Parlamentar të KKR-së. Ajo e ka quajtur të tepërt këtë debat pasi që ka pohuar se raportet në fjalë janë diskutuar me kohë në Kuvendin e Kosovës.
Petar Miletiq, në emër të Grupit Parlamentar të SLS-së, i ka quajtur reale prezantimet e Kosovës në raportet e institucioneve ndërkombëtare. Ai ka folur me tone kritike për realizimin në nivel jo të mirë të të drejtave të qytetarëve të bashkësisë etnike serbe. Ai në vazhdim ndërhyrjen në Gjyqësor i ka ilustruar me presionin e qytetarëve ndaj vendimit për disa prona, siç ka thënë ai, të manastirit ortodoks të Deçanit.
Në diskutim kanë marrë pjesë deputetë të shumtë. Derisa deputetët e opozitës kanë qenë më të shumtë dhe kanë vënë theksin mbi vlerësimet negative të raporteve ndërkombëtare për zhvillimet në Kosovë, deputetët nga radhët e koalicionit qeverisës kanë renditur të arriturat pozitive të Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup krasniqi, ndërkaq, theksin e ka vënë tek vërejtjet ndërkombëtare për zgjedhjet në Kosovë, si dhe tek puna e papërfunduar e Komisionit ad-hoc për reformën e sistemit zgjedhor, i cili është formuar gati këtu e dy vjet më parë . Duke konstatuar se komisioni nuk ka arritur që të hartojë një raport për reformën zgjedhore . "Nuk ekziston vullnet politik për ta bërë reformën zgjedhore" , ka theksuar Krasniqi, duke u shprehur i bindur se sistemi për të votuar pesë emra në listën zgjedhore të subjektit elektoral, do të vazhdojë të prodhojë parregullsi zgjedhjesh.
Në përfundim të debatit deputetët me 64 vota „për" dhe tri abstenimeve kanë miratuar rekomandimet për Qeverinë e Kosovës, si më poshtë:
1. Të ndërmarrë veprime konkrete për adresimin dhe plotësimin e kritereve të paraqitura në Raportin e Fizibilitetit, Raportin për Liberalizimin e Vizave, Rezolutën e Këshillit të Evropës dhe në raportet e tjera kredibile ndërkombëtare.
2. Në baza tre mujore t'i raportojë Kuvendit për të arriturat në plotësimin e këtyre kritereve.