Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 09.09.2013




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të parën për këtë sesion, të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, janë shqyrtuar dy projektligje, dy raporte vjetore financiar dhe një propozim.

Komisioni përkrahu dhe i rekomandoi seancës plenare miratimin e Projektligjit për Ratifikimin e neneve të Marrëveshjes Themeluese të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës dhe Anëtarësimin e Kosovës në BZHKE, si dhe Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi Administratën Tatimore dhe Procedurat, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-102.

Projektligjet u prezantuan nga ministri i Financave, Besim Beqaj.

Në vazhdim, komisioni shqyrtoi raportin vjetor financiar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për vitin 2012. Kryesuesi i këtij Këshilli, Enver Peci, bëri një pasqyrim përmbledhës të aktiviteteve financiare të KGJK-së gjatë vitit të kaluar dhe iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të komisionit.

Pas diskutimeve, komisioni përkrahu raportin dhe i rekomandoi seancës miratimin e tij.

Në këtë mbledhje u përkrah edhe Raporti vjetor financiar i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për vitin 2012, të cilin e prezantoi Skender Komoni, anëtar i Bordit të kësaj agjencie.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e propozimit të panelit vlerësues të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekutiv të Bordit të BQK-së. Komisioni procedoi për në seancë plenare listën prej katër propozimesh: Sejdi Rexhepi, Driton Balaj, Enver Krasniqi dhe Ramë Rexha, me konstatimin se ato i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa