Lajmet e fundit
Seancë solemne e Kuvendit, me rastin e vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama
, 13.09.2013
Me rastin e vizitës në Kosovë të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot seancë solemne, në të cilën kreu i qeverisë shqiptare ka mbajtur një fjalë rasti.
Fillimisht, kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, duke i uruar z. Rama mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, ka përgëzuar zgjedhësit shqiptarë për kulturën e lartë demokratike dhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira, fer dhe të suksesshme. Standardet e larta të këtyre zgjedhjeve, shtoi Krasniqi, kanë dëshmuar gjithashtu pjekurinë politike, përgjegjësinë dhe seriozitetin e partive politike e të institucioneve të shtetit shqiptar.
Duke i uruar kryeministrit Rama, qeverisë që ai drejton dhe institucioneve tjera të zgjedhura, sukses të plotë në përmbushjen e objektivave gjatë mandatit të tyre, kreu i Kuvendit të Kosovës tha se vizita zyrtare që kryeministri i Shqipërisë i bën Kosovës, fill pas konstituimit të Qeverisë së re, dëshmon lidhjet e ngushta që ka Shqipëria me Kosovën dhe rëndësinë që ai u jep marrëdhënieve midis dy shteteve tona.
"Qëllimet programatike të Qeverisë së re karshi Kosovës, të proklamuara nga vetë kryeministri Rama janë inkurajuese e shpresëdhënëse për thellimin e marrëdhënieve tona dhe për përmbajtjen e re të tyre. Përparim të dukshëm të marrëdhënieve kemi pasur edhe deri tani, por ritmi dhe dimensioni i tyre na kanë mbajtur larg nivelit të mundshëm dhe nevojave e interesave të kohës", theksoi Krasniqi në fjalën e tij, ndërsa shtoi se epoka në të cilën kemi hyrë, u ka hapur rrugë dhe perspektivë të shkëlqyer marrëdhënieve midis Shqipërisë e Kosovës, si dhe integrimeve rajonale e euroatlantike të tyre.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në adresimin e tij para deputetëve, vuri theksin tek rritja e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, nëpërmjet projekteve të përbashkëta. Ai i bëri apel shtetarëve të Kosovës që të forcojnë përpjekjet për zhdukjen e kufijve të padukshëm.
"Kufirin mes shteteve tona nuk e shoh si një vijë mes dy shteteve. Kufiri ishte i djeshëm, e ardhmja s'ka kufi", theksoi Rama.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama u ndal në udhëtimin që përfaqësuesit e UÇK-së bënë aso kohe për në Rambuje, këmbënguljen që edhe ata të jenë pjesë e këtij takimi, që sipas tij bëri që të ndërrojë e ardhmja e shqiptarëve.
"'Pa përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk nisemi sot, as nesër, asnjëherë. Kështu mendojnë të gjithë, vetëm bashkë', tha profesor Rexhep Qosja, një prej anëtarëve të delegacionit, pak para se i gjithë delegacioni bashkë me luftëtarët e lirisë, përfaqësi e miliona zemrave shqiptare me plot besim në të drejtën e madhe, qoftë edhe të vonuar, të ndërmerrte në orët e fundit të shekullit të vjetër, udhëtimin që ndryshoi përgjithmonë rrugën drejt të sotmes", tha kryeministri i ri shqiptar.
Ai tha se vjen sot në Kosovë me gjithë admirimin sesi Kosova u bë protagoniste e paqes me fqinjin e saj, Serbinë.
"Vij me respektin e madh çfarë keni ditur të bëni për Kosovën në vetëm 5 vjet shtet dhe me disponimin më të plotë për të mësuar se rruga jonë është e bashkuar drejt familjes evropiane. Nuk jam këtu për vazhdimin e retorikes së dashurisë së shteti amë ndaj shtetit- bijë, por jam për themelin e një aleancë mes të barabartëve, Shqipëri-Kosovë. Retorikat nacionaliste të së shkuarës mos t'i dëgjojmë. Le të projektojmë të ardhmen. Mezi pres mbledhjen e përbashkët në Prizren dhe miratimin e agjendës së saj për të konkretizuar projektet", u shpreh Rama para ligjvënësve e të Kuvendit të Kosovës.
Duke vlerësuar punën e paraardhësit të tij Sali Berisha në projektin TAP, Rama premtoi se qeveria e tij do shkojë dhe më tej, për të bërë të mundur që një degëzim i saj të përfshijë dhe Kosovën.
Duke prekur temën e marrëdhënieve me fqinjët, kryeministri shqiptar shpalosi idenë e kthimit të Preshevës në shembullin e pakicave dhe lajtmotiv të dialogut Kosovë-Serbi. Ndërsa, duke sjellë në vëmendje çështjen çame, tha se zgjidhja do ketë në themel traktatin e bashkëpunimit me Greqinë.
"Presheva puq kufirin e tre shteteve. Këtë fakt nuk duhet të anashkalojmë, por ta kthejmë Preshevën në shembullin e pakicave. Pse te mos bëhen të drejtat e pacenuara në Preshevë dhe veriun e Kosovës lajtmotivi i parë i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. E rinënvizoj gatishmërinë e Shqipërisë të çojmë para këtë epokë bashkë me serbët edhe të tjerët", theksoi Rama.
Për sa i takon arsimit, kreu i qeverisë shqiptare tha se nuk duhet humbur më kohë, duke shtuar se "duhet të unifikojmë sistemin arsimor, pasi skeçi i çdo shtatori që publikohej abetarja e përbashkët, do t'ia lerë vendin bashkëpunimit për arsimin".
Ai shtroi nevojën e gjetjes së rrugës së duhur për një strategji të përbashkët për bujqësinë, ku shfrytëzimi i potencialeve që ka hapësira shqiptare, me koordimin e të dy shteteve, do të sillte shpërndarjen rajonale të prodhimit, zgjerim të rrugëve të prodhimit dhe rritje të të ardhurave nga prodhimi këtej dhe andej kufirit.
"Ne do t'i japim fund patatefobisë në rajon, që ka shkaktuar luftëra doganore në kufi. Të nxisim rritjen e prodhimit bujqësor. Janë plot rastet e mallrave të kësaj ane që kanë ngecur pa kaluar në atë anë. Jemi të gatshëm të realizojmë bashkimin doganor. E di që nuk është e lehtë, por të ngrejmë një grup të përbashkët me qëllim që t'i japim një përmasë të madhe lirie dhe konkurrence biznesit shqiptar në të gjithë hapësirën shqiptare", tha Rama.
Një Forum i Përvitshëm Kombëtar në Vlorë, ishte projekti i dytë i Ramës pas idesë për mbledhjen e parë të përbashkët të dy kabineteve qeveritare, në Prizren, gjatë muajit nëntor të këtij viti.
Në fund kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, e përmbylli fjalimin e tij me këto fjalë:
"Dua ta them mu ashtu siç e tha Faik Konica siç di më bukur se askush kur foli shqip në fund të përshëndetjes së vet më 7 maj 1921, përpara një grupi atdhetarësh: mbetëm i juaji me besë."