Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
, 10.04.2019
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, në mbledhjen e sotme të  kryesuar nga  Sala Berisha- Shala, kryetare e komisionit,  ka shqyrtuar Raportin vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) për vitin 2017. 
Këtë raport para  komisionit e paraqiti drejtori i AAC-së, Eset Berisha, i cili vuri në spikamë të arriturat dhe sfidat  e këtij institucioni. 
Duke  folur për objektivat e AAC-së, Berisha përmendi anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të aviacionit civil, si dhe nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë me shtetet e tjera.  
Ai dha shpjegime edhe për hapësirat ajrore, përkatësisht atë të ulëtën (e cila kontrollohet nga KFOR/ NATO) dhe atë të lartën e cila aktualisht është duke u kontrolluar nga  "Hungari Controll".  
Sfidë ndërkaq, sipas përfaqësuesit të AAC-së, vazhdon të mbetet buxheti i pamjaftueshëm, i cili ndikon në ngritjen profesionale të stafit. 
Drejtori i AAC-së, Berisha, u është përgjigjur edhe pyetjeve që shtruan anëtarët e komisionit, të cilët po ashtu u shprehën të gatshëm për ta mbështetur AAC-në në tejkalimin e pengesave që aktualisht ka. 
Pas kësaj, Raporti është hedhur në votim dhe u përkrah nga komisioni.
