Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës
Fjalim i mbajtur në Seancën solemne kushtuar 25 vjetorit të shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, më 2 Korrik 1990.
Të nderuar të pranishëm,
 
Më lejoni që në fillim, në emrin tuaj, t'i shpreh mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e Kosovës, mikut të shquar të vendit tonë, të pavarësisë dhe lirisë sonë, kongresmenit Eliot Engel.
 
Welcome mr. Engel,
 
-         Të nderuar të pranishëm,
Jemi mbledhur sot, në këtë seancë solemne, në nderim dhe respekt të 2 korrikut të vitit 1990.
 
Në këtë ditë, 25 vite më parë, delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, nxorën deklaratën kushtetuese. 
Sot, kemi nderin t'i kemi këtu në Kuvendin e Kosovës të Lirë dhe të Pavarur, dhe njëkohësisht, të shprehim nderim për ata delegatë që tash nuk janë në mesin tonë.
 
Të nderuar të pranishëm,
Zonja e zotërinj,
 
Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990 përbën një moment të rëndësishëm në historinë e lëvizjes sonë kombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XX.
-         Kjo lëvizje kishte filluar me demonstratat e vitit 1968, 
-         ishte rritur në aktivitetet e organizatave patriotike ilegale të asaj kohe, 
-         kishte shpërthyer vrullshëm në pranverën studentore të vitit 1981,
-          për të vazhduar me demonstratat e fuqishme të vitit ‘88, ‘89, ‘90.
Ishte një përballje e madhe me nacionalizmin agresiv serb.  
Në epiqendër të kësaj përballje ishte trashëgimia e rendit kushtetues të vitit 1974.
-         Serbia kërkonte më pak se 74-shi.
-         Lëvizja jonë kombëtare synonte më shumë. 
Shqiptarët nuk mund të mashtroheshin me masa gjysmake ekonomike dhe politike. 
Duhej dhënë fund diskriminimi kombëtar që shqiptarëve u bëhej  në të gjitha nivelet e sistemit jugosllav. 
Barazi ose shkëputje - Ky ishte vullneti politik i asaj kohe. 
Në vitin 1989 Serbia përmes dhunës policore ndërmori agresionin kushtetues ndaj Kosovës. 
Përmes këtij agresioni Kosovës iu hoqën të drejtat kushtetuese të vitit 1974. 
1 vit më pas delegatët e Kuvendit të Kosovës bën atë që ishte vullneti politik i kohës i qytetarëve,  
-         Përmes deklaratës kushtetuese anuluan agresionin kushtetues të Serbisë të marsit '89 dhe njëkohësisht avancuan shumë të drejtat kushtetuese të Kosovës.
Kosova bëhej subjekt i barabartë politik me republikat tjera të ish Jugosllavisë. 
Ishte një veprim i duhur dhe në momentin e duhur. 
-         Jugosllavia komuniste nuk kishte gjasa për të mbijetuar dhe duke aneksuar Kosovën, Serbia synonte që në shpërbërjen e Jugosllavisë Kosova të mos figuronte fare si çështje ndërkombëtare.
Kësisoj Serbia synonte të shkatërronte bazën legale të së drejtës së Kosovës për shkëputje. 
Përkundër kësaj Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut  ishte avancim i kësaj baze legale. 
Ishte një pikënisje e duhur për platformën e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Kjo do të thoshte se Kosova nuk mund të trajtohej si çështje e brendshme e Serbisë. 
Ëndrra jugosllave kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë. 
Fitorja jonë e parë e madhe është pikërisht fitorja në luftën për ndërkombëtarizimin e çështjes sonë. 
Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut dhe lëvizja civile e viteve 90 kanë meritat e mëdha në këtë fitore.
 -         Ato ishin një ndihmesë e madhe kur erdhi momenti i madh, dita e madhe e fillimit të kryengritjes së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kur ne rrokëm armët, tanimë bota e kishte të qartë se këtë po e bënim për një kauzë të madhe, kauzën e lirisë. 
Kjo na solli përkrahjen politike dhe ushtarake të botës demokratike. 
 
Të nderuar të pranishëm,
-         Me 1999 ne nuk fituam vetëm lirinë, por fituam edhe rreshtimin në anën e drejtë të historisë, në anën e demokracive perëndimore.
Falë këtij rreshtimi ne ecëm më tutje, 
-         e bëmë Kosovën shtet të pavarur dhe tani po e konsolidojmë këtë shtet për ta bërë të gatshëm për integrimet euro-atlantike. 
Prandaj për ne ky rreshtim është dhe do të mbetet vlerë e pacenueshme kombëtare. 
Ne besojmë në këtë vlerë. 
Ne besojmë në partneritetin me botën perëndimore, si e vetmja rrugë për t'i zgjidhur problemet dhe tejkaluar sfidat e shtet ndërtimit dhe integrimit. 
Ne do të kemi sukses! 
Ju faleminderit.
 
 
 
 
 
 
 
 
 
